Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka nisur takimet përgatitore në kuadër të zgjedhjeve bashkiake të vitit 2027.
Gjatë takimit në degën 7 në Tiranë, Shehaj ka ftuar mbështetësit dhe qytetarët e angazhuar të kandidojnë nën logon e Partisë Mundësia me qëllim kontributin në ndërtimin e një qeverisjeje vendore të ndershme dhe në shërbim të njerëzve.
“Zgjedhjet bashkiake po afrohen. Po evidentojmë kandidatët e Partisë Mundësia në të gjithë këshillat bashkiake. 50 mijë votues kanë votuar për Partinë Mundësia zgjedhjet e fundit. Këtë vit, mbështetësit tanë janë rritur. Nëse je një prej tyre, të ftojmë të vetë-propozohesh si kandidat për këshillat bashkiakë.”- deklaroi Shehaj.
Sipas tij, zgjedhjet bashkiake janë një mundësi reale për t’i kthyer pushtetin komuniteteve dhe për të nxjerrë në pah njerëz me integritet dhe vizion për zhvillimin lokal.
Turi i takimeve me mbështetësit e “Mundësia” nisi nga dega 7 në kryeqytet për t’u shtrirë më pas në të gjithë Tiranën dhe qytetet e tjera të vendit.