SHBA, Ukraina dhe Rusa drejt bisedimeve të para trepalëshe që nga nisja e luftës

Përfaqësues të Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë do të zhvillojnë sot bisedime në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke shënuar takimin e parë të njohur ku marrin pjesë të tria palët që nga pushtimi i plotë rus i Ukrainës në vitin 2022.

Lajmi u konfirmua nga këshilltari i Kremlinit, Yury Ushakov, i cili tha se Rusia do të marrë pjesë në mbledhjen e parë të grupit trepalësh të punës për çështjet e sigurisë në Abu Dhabi, duke konfirmuar një deklaratë të mëhershme të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Takimi zhvillohet pas një takimi mbi treorësh mes presidentit rus Vladimir Putin dhe të dërguarit special të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, si dhe dhëndrit të tij, Jared Kushner. Ushakov i përshkroi këto bisedime si jashtëzakonisht substanciale, konstruktive dhe shumë të sinqerta e konfidenciale.

Megjithatë, ai paralajmëroi se “pa zgjidhjen e çështjes territoriale nuk duhet pritur një marrëveshje afatgjatë”, duke shtuar se Rusia do të vazhdojë të ndjekë objektivat e saj “në fushëbetejë, ku forcat e armatosura ruse kanë iniciativën strategjike”, derisa të arrihet një marrëveshje.

Përpjekjet e fundit të udhëhequra nga SHBA për t’i dhënë fund luftës katërvjeçare nuk kanë arritur ende të ndalin luftimet, ndërsa kërkesat e Moskës që Ukraina të heqë dorë nga territore të pretenduara nga Rusia mbeten pika kryesore e bllokimit në negociata.

Rusia aktualisht kontrollon rreth 20 për qind të territorit të Ukrainës të njohur ndërkombëtarisht, përfshirë pothuajse të gjithë rajonin e Luhanskut dhe pjesë të Donetskut, Khersonit dhe Zaporizhjës. Moska kërkon që Ukraina të dorëzojë plotësisht këto katër rajone, të cilat Rusia i ka aneksuar, ndonëse nuk i kontrollon tërësisht.

Delegacioni rus në Abu Dhabi do të drejtohet nga shefi i Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës, admirali Igor Olegovich Kostyukov, ndërsa delegacioni ukrainas do të përfshijë zëvendësshefin e zyrës presidenciale dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Andrii Hnatov. Shtëpia e Bardhë ende nuk ka komentuar zyrtarisht mbi takimin.

Para udhëtimit për në Moskë, Witkoff deklaroi se negociatat janë reduktuar në vetëm një çështje, duke sugjeruar se një marrëveshje mund të jetë e arritshme. “E kemi çuar gjithçka në një pikë të vetme dhe kemi diskutuar disa variante të saj, që do të thotë se është e zgjidhshme”, tha ai gjatë një eventi në Davos.

Rajoni i Donbasit, i pasur me toka bujqësore dhe lumenj të rëndësishëm, ka qenë prej kohësh objektiv strategjik i presidentit rus Vladimir Putin. Humbja e këtij rajoni do ta linte Ukrainën qendrore më të ekspozuar ndaj ofensivave të ardhshme ruse.

Administrata Trump ka shtuar presionin ndaj Ukrainës për të pranuar një marrëveshje paqeje, pavarësisht shqetësimeve të përhapura se një marrëveshje e tillë mund të favorizojë Moskën. Gjatë fjalimit në Davos, Trump sugjeroi se një përparim është pranë: “Mendoj se janë në një pikë ku mund të bashkohen dhe të arrijnë një marrëveshje, dhe nëse nuk e bëjnë, janë budallenj”, tha ai për Zelenskyn dhe Putinin.

Nga ana tjetër, presidenti ukrainas mbajti një fjalim të ashpër në Davos, duke kritikuar liderët evropianë për mungesë veprimi ndaj luftës së Rusisë, duke e krahasuar situatën me reagimet ndaj kërcënimeve të Trump për aneksimin e Groenlandës.

Zelensky theksoi se çështjet territoriale në lindje të vendit mbeten kyçe për çdo marrëveshje paqeje. “Gjithçka ka të bëjë me pjesën lindore të vendit tonë, gjithçka ka të bëjë me tokën. Kjo është çështja që ende nuk është zgjidhur”, u shpreh ai.

Ndërkohë, Ukraina po përballet me një krizë energjetike, duke u përpjekur të rikthejë energjinë elektrike për më shumë se një milion qytetarë të mbetur pa ngrohje në temperatura ekstremisht të ulëta, pas sulmeve ruse me raketa dhe dronë.