Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, ka kërcënuar se Shtetet e Bashkuara mund të tërhiqen nga International Energy Agency (IEA), nëse organizata nuk heq dorë nga angazhimi i saj për tranzicionin drejt energjive të rinovueshme.
Duke folur në një konferencë në Institutin Francez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Paris, Wright kritikoi ashpër qasjen e agjencisë ndaj politikave klimatike.
“Nëse një pjesë e madhe e agjencive që raportojnë të dhëna i përkushtohen këtyre fantazive të majta, kjo vetëm sa mund të shtrembërojë misionin e tyre,” deklaroi ai, duke e akuzuar IEA-n se po sillet si një “organizatë avokuese për klimën”.
Ai i bëri thirrje agjencisë të rikthejë fokusin te “siguria energjetike” dhe jo te objektivat për neutralitet klimatik.
IEA, e themeluar në vitin 1974 pas krizës së parë të naftës dhe me seli në Paris, është një nga institucionet kryesore globale që harton skenarë dhe parashikime për të ardhmen e energjisë, përfshirë tranzicionin drejt burimeve të rinovueshme.
Wright do të qëndrojë në Paris për të marrë pjesë në një takim ministror të agjencisë. Ai u shpreh se skenarët për arritjen e emetimeve neto zero janë “të pavlefshëm” dhe “nuk do të ndodhin kurrë”.
Që nga rikthimi i presidentit amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025, administrata amerikane ka promovuar përdorimin e lëndëve djegëse fosile dhe ka zbutur rregullat mjedisore, duke ushtruar presion mbi IEA-n që të braktisë punën mbi tranzicionin energjetik.
Në raportin e saj më të fundit vjetor, IEA duket se ka reflektuar pjesërisht këto qëndrime, duke rikthyer një skenar të bazuar në trendet aktuale. Gjithashtu, agjencia ka rishikuar parashikimet për kulmin e përdorimit të naftës: ndërsa më parë parashikonte arritjen e tij në vitet 2030, tani pret që kërkesa të vazhdojë të rritet deri në mesin e shekullit.