SHBA-ja thotë se do të vendosë “sanksionet më të rrepta në histori” ndaj Iranit

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha se Shtetet e Bashkuara do të vendosin ndaj Iranit “sanksionet më të ashpra në histori”, një masë që, sipas tij, mund të ulë nevojën për operacione të reja të mëdha ushtarake.

Komentet e Bessent të enjten erdhën një ditë pasi presidenti Donald Trump kërcënoi me “luftë ekonomike” dhe paralajmëroi për pasoja ekonomike ndaj çdo vendi që do t’i ofronte Iranit “çfarëdo lloj mbështetjeje jetike”. Bessent tha se detajet do të bëhen të ditura javën e ardhshme.

Çmimet e naftës u rritën të enjten në nivelin më të lartë të tre javëve e gjysmë, pas kërcënimeve amerikane për vendosjen e sanksioneve financiare, të cilat synojnë t’i japin fund një lufte gati gjashtëmujore që ka bllokuar miliona fuçi nafte nga Lindja e Mesme.

“Jam i pasigurt se përse nafta është rritur për shkak të kësaj”, tha Bessent për CNBC. “Nëse po ushtrojmë presion maksimal ekonomik, atëherë kjo do të thotë se ka gjasa të mos ketë një rifillim të madh të veprimeve ushtarake”, tha ai, duke përdorur termin që i referohet përdorimit të forcës ushtarake.

Mijëra njerëz janë vrarë në konfliktin, i cili ka përfshirë edhe vendet e Gjirit dhe ka tronditur tregjet, ndërsa Irani ka treguar aftësinë e tij për të kufizuar transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit — një rrugë ujore përmes së cilës, para shkurtit, kalonte rreth një e pesta e të gjithë naftës së tregtuar në botë.

SHBA-ja dhe Irani kanë njoftuar dy herë marrëveshje armëpushimi, në prill dhe në qershor, me synimin për të rikthyer lëvizjen e lirë të anijeve përmes Hormuzit dhe për të hapur rrugën drejt përfundimit të konfliktit. Megjithatë, të dyja marrëveshjet u shembën shpejt.

Detajet e sanksioneve priten javën e ardhshme

Irani ka përballuar sanksione ekonomike të vazhdueshme dhe ndëshkuese për gati 50 vjet, që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.

Para deklaratës së Bessent, Ministria e Jashtme iraniane tha se dënonte sanksionet ekonomike dhe tregtare amerikane, duke i cilësuar ato si “terrorizëm ekonomik” që nuk do të shkaktonin “as hezitimin më të vogël” te iranianët në vendosmërinë e tyre për të mbrojtur pavarësinë, dinjitetin dhe sovranitetin kombëtar të Iranit.

Bessent tha për CNBC se të hënën, në një konferencë për shtyp, do të japë më shumë detaje mbi paketën e re të sanksioneve dhe do të “shpjegojë saktësisht se çfarë do të bëjmë” ndaj Iranit.

“Është një goditje me dy etapa. Kemi bllokadën [ndaj Iranit] dhe do të kemi sanksionet më të ashpra në histori”, tha ai, duke iu referuar një bllokade detare amerikane të vendosur ndaj Iranit në prill dhe të pezulluar për një muaj në mesin e qershorit.

“Do të funksionojë në Iran dhe ne do ta rrëzojmë këtë regjim. Është koha që aleatët tanë dhe pjesa tjetër e botës të marrin një vendim”, tha ai.

Kina blen më shumë se 80% të naftës iraniane të transportuar me anije, sipas të dhënave për vitin 2025 nga kompania analitike Kpler. Megjithatë, përshkallëzimi i luftës ekonomike ndaj Kinës, e cila është një eksportuese e madhe drejt SHBA-së, përfshirë mineralet e rëndësishme të rralla, rrezikon të shkaktojë kundërmasa ndaj Uashingtonit.

I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara mund të synojnë Kinën për shkak të marrëdhënieve të saj tregtare me Iranin, Bessent tha se shumë prej këtyre bisedave është më mirë të zhvillohen privatisht.

“Mbani parasysh se Kina siguron 50% të energjisë së saj nga Gjiri. Prandaj, do të ishte në interesin e saj të madh të bashkohej me këtë përpjekje”, tha ai.

Ambasada e Kinës në Uashington deklaroi se “sanksionet dhe presioni nuk ndihmojnë në zgjidhjen e problemit”.

“Kina u bën thirrje palëve përkatëse të ndërmarrin veprime të përgjegjshme dhe ta zgjidhin çështjen përmes mjeteve politike dhe diplomatike”, tha një zëdhënës i ambasadës.

“Pasoja të jashtëzakonshme ekonomike”

Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale të mërkurën, Trump premtoi “luftë ekonomike dhe izolim në një shkallë të paprecedentë”. Ai nuk specifikoi se cilat masa do të ndërmerrte SHBA-ja dhe nuk përmendi asnjë vend konkret, megjithëse paralajmërimi duket se mund të përfshijë edhe aleatët amerikanë që kanë ndihmuar në ndërmjetësimin e bisedimeve për paqe.

“ÇDO vend që lejon institucionet e tij financiare, bizneset, aeroportet ose entitetet qeveritare t’i ofrojnë Iranit çfarëdo lloj mbështetjeje jetike, do të përballet vetë me PASOJA TË JASHTËZAKONSHME ekonomike”, shkroi Trump.

Megjithatë, Trump po përballet me presion të brendshëm për t’i dhënë fund luftës, e cila është bërë jopopullore. Çmimet e larta të karburanteve kanë ndikuar negativisht në nivelin e mbështetjes për të dhe mund të kërcënojnë kontrollin e partisë së tij mbi Kongresin në zgjedhjet afatmesme të nëntorit.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, i cilësoi komentet e Trump si një përpjekje për të larguar vëmendjen e opinionit publik amerikan nga problemet financiare të brendshme, përfshirë borxhin rekord dhe rritjen e normave të interesit.

Ai tha se këmbëngulja e Uashingtonit për politika që ai i cilësoi si të dështuara do të sillte dështime të mëtejshme dhe do t’i largonte iranianët.

Kërcënimet dhe njoftimet e Trump në rrjetet sociale nuk zbatohen gjithmonë në formën në të cilën janë bërë publike.