Makina përplas për vdekje 32-vjeçarin në Durrës, shoferi ia “mbath” nga vendngjarja

Një aksident me një të vdekur është shënuar mëngjesin e kësaj të premteje në aksin rrugor Shkozet-Shijak, në zonën e Rrashbullit, në Durrës.

Siç njofton policia, një automjet ka përplasur një 32-vjeçar që po lëvizte me biçikletë.

Përplasja ka qenë fatale për të riun, i cili ka humbur jetën në vendngjarje.

Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit është larguar nga vendi, ndërsa policia ka nisur punën për identifikimin dhe kapjen e tij.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 06:15, në aksin rrugor “Shkozet-Shijak”, në vendin e quajtur Rrashbull, një automjet ende i paidentifikuar ka përplasur biçiklistin, shtetasin V. H., 32 vjeç.

Si pasojë e aksidentit, 32-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Drejtuesi i automjetit është larguar nga vendi i ngjarjes dhe vijon puna për identifikimin dhe kapjen e tij.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.