SHBA gati për goditje ndaj Iranit këtë fundjavë, Trump ende pa vendimin final

Ushtria e Shteteve të Bashkuara është e përgatitur të ndërmarrë një sulm ndaj Iranit që këtë fundjavë, megjithatë presidenti Donald Trump ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për autorizimin e një veprimi të tillë, raportojnë burime për CNN.

Sipas burimeve, “Shtëpia e Bardhë” është informuar se forcat amerikane mund të jenë gati për një sulm brenda fundjavës, pas një shtimi të konsiderueshëm të kapaciteteve ajrore dhe detare në Lindjen e Mesme ditët e fundit. Megjithatë, Trump raportohet se ka shprehur privatisht argumente si pro ashtu edhe kundër ndërhyrjes ushtarake, ndërsa ka kërkuar mendime nga këshilltarët dhe aleatët për hapat e mëtejshëm.

Zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare u mblodhën të mërkurën në “Situation Room” në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar situatën në Iran. Po atë ditë, Trump u informua nga i dërguari special Steve Witkoff dhe dhëndri i tij Jared Kushner mbi bisedimet indirekte me Iranin që u zhvilluan një ditë më parë.

Bisedimet mes negociatorëve amerikanë dhe iranianë në Gjenevë zgjatën rreth tre orë e gjysmë, por përfunduan pa një marrëveshje konkrete. Pala iraniane deklaroi se është rënë dakord për një “grup parimesh udhëzuese”, ndërsa një zyrtar amerikan theksoi se “ka ende shumë detaje për t’u diskutuar”.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se Irani pritet të paraqesë më shumë detaje mbi pozicionin e tij negociues “në javët e ardhshme”, por nuk konfirmoi nëse presidenti do të përmbahet nga veprimet ushtarake gjatë kësaj periudhe. Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pritet të vizitojë Izraelin më 28 shkurt për t’u takuar me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe për ta informuar mbi ecurinë e bisedimeve me Iranin.

Sipas saj, diplomacia mbetet opsioni i parë i presidentit, por ndërhyrja ushtarake “mbetet në tryezë”.

Ndërkohë, tensionet janë shtuar edhe në terren. Aeroplanmbajtësja më e avancuar amerikane, USS Gerald Ford, mund të mbërrijë në rajon që këtë fundjavë. Po ashtu, mjete të Forcave Ajrore amerikane të vendosura në Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë avionë luftarakë dhe cisterna furnizimi me karburant, janë zhvendosur më pranë Lindjes së Mesme.

Nga ana tjetër, sipas analizave satelitore të publikuara nga Institute for Science and International Security, Irani ka forcuar disa prej objekteve të tij bërthamore, duke përdorur beton dhe sasi të mëdha dheu për të mbuluar pikat kyçe, në përgjigje të presionit ushtarak amerikan.

Zhvillimet ndodhin në një moment delikat ndërkombëtar. Lojërat Olimpike Dimërore përfundojnë të dielën, ndërsa muaji i shenjtë i Ramazanit ka nisur tashmë, faktorë që, sipas disa zyrtarëve evropianë dhe aleatëve të SHBA-së në Lindjen e Mesme, mund të ndikojnë në kohën e mundshme të një sulmi.

Megjithatë, presidenti Trump nuk ka sqaruar publikisht objektivat konkrete të një operacioni të mundshëm ushtarak, ndonëse ka theksuar vazhdimisht se Irani nuk duhet të sigurojë armë bërthamore. Për momentin, vendimi final mbetet në pritje.