Nga Hal Brands “Project Syndicate”
Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, u largua nga Uashingtoni pa ndonjë ndihmë të re të SHBA-së për shtetin e tij në luftë me Rusinë. Ky mund të jetë një ogur i kohërave të vështira që na presin gjatë vitit 2024. Viti i fundit i mandatit të presidentit amerikan Xho Bajden do ta shohë rendin aktual botëror të përballet me probleme në çdo front, madje përfshirë atë në të cilin është më i cenueshëm, brenda vetë SHBA-së.
Viti i ardhshëm do të jetë i vështirë për Ukrainën. Kundërofensiva e saj e shumëpërfolur ka përfunduar me zhgënjim. Forcat e saj janë të pakësuara në numër dhe të rraskapitura. Në median amerikane kanë nisur të shfaqen akuzat, sipas të cilave fajtore për atë dështim janë ndrojtja ukrainase ose koprracia e vendeve perëndimore.
Anasjelltas, presidenti rus Vladimir Putin, po ndihet tejet i vetëkënaqur. Ai ka marrë ndihmën më të mirë të mundshme nga Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë. Arsenali i tij i autokracisë, po e kalon arsenalin e demokracisë që zotëron SHBA-ja. Tani Uashingtoni e ka më të vështirë ta ndihmojë Ukrainën të mbrohet.
Edhe nëse Ukraina merr një sasi të madhe ndihme nga Amerika në vitin 2024, mund t’i duhet ende kohë për të rifituar forcën që kishte, për të neutralizuar sulmet ruse dhe për t’u përgatitur për kundërsulmin tjetër të madh – ndoshta të fundit dhe vendimtar – në vitin 2025.
Por në rast se nuk e merr atë ndihmë, ajo do ta ketë shumë të vështirë të mbrojë qytetet e saj nga sulmet me dronë dhe raketa këtë dimër, si dhe të mbajë pozicionet e veta në fushëbetejë kundër artilerisë dhe fuqisë më të madhe në burime njerëzore të rusëve pranverën e vitit që vjen.
Pyetja që nisi të ngrihej në fillim të këtij viti ishte:Sa territore mund të çlirojë Ukraina? Pyetja për vitin 2024 është:A mund të vazhdojë të luftojë Ukraina? Perspektiva nuk është shumë më e mirë as në Lindjen e Mesme. Izraeli shpreson ta përfundojë deri në fund të këtij viti fazën më intensive të luftës së tij kundër Hamasit.
Të njëjtën gjë shpreson në fakt edhe administrata Bajden. Përfundimi i konfliktit është thelbësor për uljen e kostove diplomatike që po paguan aktualisht SHBA-ja, pasi ajo mbështet një ofensivë jashtëzakonisht të justifikuar të izraelitëve, por që megjithatë ka shkaktuar vdekjen e 20.000 palestinezëve.
Po ashtu, përfundimi i luftës dhe ndoshta edhe i mandatit qeverisës të kryeministrit Benjamin Netanjahu, është jetik për të ri-gjetur vrullin për krijimin e një koalicioni saudito-izraelit kundër Iranit. Megjithatë, edhe në këtë skenar optimist, konflikti me intensitet më të ulët do të vazhdojë ndoshta edhe gjatë muajve të ardhshëm.
Ndërkaq, lufta ka nxitur presione të dhunshme dhe përshkallëzuese në 4 fronte – Bregun Perëndimor, kufirin Izrael-Liban, Detin e Kuq dhe në Irak dhe Siri. Po ashtu, ai po kërcënon të ri-forcojë përparimin e Iranit drejt ndërtimit të armës bërthamore, duke e demaskuar marrëveshjen e heshtur, sipas së cilës Uashingtoni lehtësoi sanksionet dhe Teherani e bëri më të lehtë pasurimin e uraniumit.
Kërkesat për fuqinë ushtarake dhe mençurinë diplomatike të Amerikës do të mbeten të rëndësishme edhe për vitin 2024, teksa po afrohen telashe të mëdha edhe në rajonin e Paqësorit Perëndimor. Duke parë pak pas në kohë, ka të ngjarë që takimin e muajit të kaluar midis Bajden dhe presidentit kinez Xi Jinping, ta shohim si një pikë kulmore në marrëdhëniet SHBA-Kinë, dhe jo si një themel mbi të cilin të dyja palët mund të ndërtojnë raporte të mira në të ardhmen.
S’ka asnjë shenjë se Ushtria Çlirimtare Popullore do të ngadalësojë ndërtimin e ushtrisë – bërthamore dhe konvencionale – një veprimtari që po e alarmon shumë Pentagonin. Kina vazhdon të përpiqet të distancojë një aleat të SHBA-së, Filipinet, nga zonat e diskutueshme në Detin e Kinës Jugore.
Pastaj është pika kryesore e debatit, Tajvani. Nëse kandidati i Partisë Progresiste Demokratike Lai Ching, fiton zgjedhjet presidenciale muajin e ardhshëm – ai aktualisht ka një epërsi të vogël – Pekini nuk do të jetë aspak i lumtur. Zyrtarët kinezë e shohin Lain si një lider shumë entuziast për pavarësinë e ishullit.
Fitorja e tij, dhe e treta radhazi për DPP-në, do ta detyronte Xi të përballej me faktin se po shuhen shpresat për një bashkim paqësor. Ndaj vitin e ardhshëm Xi mund të shtojë presionin ushtarak, përmes stërvitje agresive dhe shfaqjeve të forcës, për t’i kujtuar popullatës së Tajvanit se mosbindja e ka një çmim.
Përballja me një bote plot kriza do të vinte në provë çdo president. Por Bajden do të përballet edhe me forcat jo liberale brenda vendit. Retorika e tij mbi një betejë të demokracisë kundër autokracisë, ka qenë gjithmonë një referencë për ish-presidentin amerikan Donald Trump, po aq sa edhe për Xi Jinping apo Vladimir Putin.
Dhe nëse Bajdenit i pëlqente të deklaronte në fillim të mandatit të tij se “Amerika është rikthyer në skenën globale”,tani ai që po rishfaqet në skenë është Donald Trump. Ky i fundit po shkon drejt një revanshi elektoral, dhe përballë ka një president që duket se është plakur një dekadë në 3 vitet e fundit.
Frika nga një rikthim i Trump në Shtëpinë e Bardhë, po ndikon që tani në politikën globale. Ajo po nxit besimin e Putinit se ai mund ta fitojë luftën që ka nisur në Ukrainë, duke mposhtur indirekt edhe Perëndimin.
Aleatët e Amerikës e kuptojnë se nëse triumfon Trump, armiqësia e tij ndaj tyre mund ta shkatërrojë botën e lirë, sepse ai mund të nxisë destabilitet, paaftësi dhe unilateralizëm në lidershipin amerikan, pikërisht në kohën e një rreziku në rritje.
Ka shumë mënyra se si ai mund të dobësojë shtyllat demokratike të forcës globale të Amerikës:shkarkimin masiv të nëpunësve civilë; ndjekjen penale të armiqve të tij; përdorimi e fuqisë së shtetit për ta mbajtur me çdo kusht veten në detyrë.
Viti që po mbyllet, pati pjesën e tij të surprizave të këqija, nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit deri tek zbehja e dukshme e vullnetit të botës së lirë për të ndihmuar Ukrainën. Viti që po vjen, do të jetë edhe më i turbullt, jo më pak edhe për shkak të mënyrës se si politika e paqëndrueshme e Amerikës do të ndërveprojë me atë të pjesës tjetër të botës.