Ashtu siç edhe opozita e denoncoi para pak ditësh, policët do të punojnë 12 orë përgjatë 3 muajve të verës.
Vendimi nuk ka hyrë ende në fuqi, por mësohet se të gjithë efektivët do të punojnë nga 12 orë çdo ditë për të përballuar sezonin turistik dhe raportohet se do të paguhen për orët shtesë.
Urdhri i firmosur nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku hyn në fuqi nga data 15 qershor deri më 15 shtator. Pra për 3 muaj, efektivët do të punojnë me orare të zgjatura.
Çdo vit për mbarëvajtjen e sezonit turistik në zonat bregdetare dërgoheshin efektivë nga Tirana për shërbime gjatë sezonit turistik, por këtë vit nuk do të ndodhë, efektivët në të gjithë vendin do të punojnë 12 orë në ditë për të përballuar sezonin turistik.
Pak ditë më parë ishte demokrati Luçiano Boçi, i cili tha se Drejtoria e policisë i ka detyruar të gjithë efektivët të nënshkruajnë një deklaratë sipas të cilës pranojnë të punojnë 3 muajt e verës 12 orë në ditë, pa të drejtë ankimimi.
Media Ditari denoncoi pak kohë më parë kontratën abuzive të makinave të Policisë së Shtetit, të cilat i kishin kilometrat e limituara dhe efektivët detyroheshin ta bënin një pjesë të patrullimit në këmbë. Gjithashtu, në 2 muajt e parë të vitit, pagesa e ushqimit që duhet të kalonte bashkë me pagën, nuk ishte dhënë.