SERVILIZMI dhe INTERESAT PERSONALE që po gërryejnë Partinë Demokratike

Kanë mbetur më pak se dy vite nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe Partia Demokratike duhet të ishte një strukturë e fortë në shërbim të të drejtave të qytetarëve dhe një opozitë e konsoliduar, e gatshme për të marrë pushtetin pas 12 viteve humbje, tranzicion dhe mosmarrëveshje.

Por sot Partia Demokratike është një kantier ndërtimi i mbetur vetëm në letër, pasi ende nuk po gjendet arkitekti, inxhinieri dhe punëtorët, sepse PD-së i kanë mbetur vetëm pronarët që po zihen për atë “truall” aq shumë të vlefshëm para disa viteve, por që sot duket si një ngastër që i ka ngelur vetëm emri.

Tentativa e Gazment Bardhit për të bashkuar deputetët demokratë është një nismë aq sa e mirë, edhe e pamjaftueshme. Takimi i 43 deputetëve nuk ishte asgjë më shumë se një “makijazh” për të mbuluar sadopak krizën e kësaj partie, ndërkohë që nga ana tjetër është edhe një PD me vulë por shumë herë më e vogël, që duket se s’do të bashkohet kurrë me të tjerët.

Por a është interesi i të gjithë deputetëve bashkimi i PD-së, apo disa prej tyre janë aty vetëm për interesa personale?

Nëse situata vijon të mbetet e njëjtë, në zgjedhjet e vitit 2025 “Rithemelimi” i drejtuar nga Sali Berisha do të detyrohet sërish të garojë nën logon e Partisë së Lirisë, ndërkohë që pjesë e kësaj liste mund të bëhen edhe deputetët që mbështesin Gazment Bardhin, ndërkohë që Basha dhe të besuarit e tij do të dalin në garë me logon e PD-së zyrtare.

Por çfarë sjell dalja me një listë të përbashkët të PD dhe PL? Asgjë më shumë se një tjetër konflikt, pasi do të jetë një luftë më e ashpër brenda deputetëve se cilët do të jenë pjesë e “listës fituese”. Ilir Meta do të kërkojë një numër të caktuar deputetësh në vendet e sigurta, ashtu si edhe Sali Berisha me Gazment Bardhin, duke bërë që një pjesë e madhe e deputetëve që janë tashmë të mos i shohim në Parlamentin e ardhshëm.

Pakënaqësitë do të rriten, ndërkohë që deputetët do të kërkojnë të sigurojnë më shumë vota personale, duke krijuar përçarje në grup. Ka një pjesë të madhe deputetësh aktivë në PD që nuk kanë pothuajse asnjë lloj peshe politike, por kanë qenë gjithmonë pjesë e listës fituese falë “servilizmit” ndaj kryetarit.

Janë pikërisht këta deputetë që sot mendojnë më shumë për interesat personale sesa për bashkimin e partisë. Nëse Berisha dhe Gazment Bardhi e kanë të sigurt vendin e tyre në Parlamentin e ardhshëm, disa të tjerë po përpiqen të marrin rol protagonisti, që të sigurojnë edhe një mandat tjetër rrogën e deputetit.

Ka edhe të tjerë që ishin larguar prej kohësh nga PD, por me rikthimin e Berishës dhe situatën në të cilën ndodhet PD, por përpiqen të përfitojnë sa më shumë duke iu servilosur liderit, por që nuk kanë interes për bashkimin e partisë, pasi bashkimi do të sillte edhe më shumë rrezik për ta, pasi konkurrenca do të ishte edhe më e ashpër.

Janë pikërisht këta persona që kanë vendosur interesat personale dhe servilizmin mbi çdo demokrat dhe qytetar, duke sjellë edhe më shumë gërryerjen e një partie që duhet të ishte shpresa e një vendi të vjedhur, por që tashmë ajo shpresë duket se po venitet edhe më shumë.