Serbët në Kosovë kanë festuar sot festën e “Vidovdanit”, një festë ortodokse që në Serbi festohet për të kujtuar një nga dëshmorët e shenjtë të popullit të tyre.
Ceremonia e cila nisi në orën 09:00 në Manastirin e Graçanicës në Kosovë, u shoqërua me provokime të shumta nga të rinjtë serbë por edhe nga patriarku që mbajti fjalim para pjesëmarrësve. Në bluzat e serbëve ishin shkruar mbishkrime nacionaliste si “Nuk e japim djepin e Serbisë”, duke iu referuar Graçanicës, që i përket Kosovës.
Patriarku serb tha para besimtarëve se Deçani, Peja etj janë vende të shenjta që i përkasin serbëve.
“Nëse diku mund të kuptojmë se jemi këta që jemi, është pikërisht Kosova, është pikërisht kjo portë e Graçanicës së shenjtë, është populli i Deçanit, është Patriarkana e Pejës, është Bogorodica e Levishkës, është e Deviqi, janë vendet e shumta të shenjta me të cilat është zbukuruar toka e Kosovës. Këtu në këtë vend, ne e dimë se kush jemi, këtu e dimë se çfarë jemi, këtu kuptojmë se nga vijmë dhe cili është qëllimi ynë i ekzistencës. Këtu jemi vëllezër dhe motra në shtëpinë tonë, këtu në Kosovë. Shumë herë ia kam kujtuar vetes këtë fakt, dhe tani, duke ua thënë të gjithëve, po ju kujtoj edhe juve dhe po jua kujtoj këtë fakt dhe të vërtetë të gjithë vëllezërit dhe motrat tona kudo që janë, gjithë botës dhe të gjithë njerëzve të botës. Ne jemi këtu në shtëpinë tonë, këtu jemi në shtëpinë tonë”, ka thënë ai.
Që nga mëngjesi janë pozicionuar edhe ekipe të Policisë së Kosovës, KFOR-it, e të pranishëm janë edhe EULEX-i.
Për shkak të sigurisë, këtë vit kjo festë nuk është shënuar në Gazimestan, vend i cili ndodhet 10 kilometra larg Prishtinës. Ndërsa, tash serbët kanë filluar të shpërndahen.