Prokuroria e Posaçme (SPAK) njoftoi sot se ka sekuestruar inceneratorin e Tiranës, pasi ka vërtetuar se biznesmenët në kërkim Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto janë pronarët e vërtet të këtij inceneratori.
Sipas SPAK, Zoto dhe Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.
Por në njoftimin e SPAK vihet re edhe diçka tjetër. Prokuroria e Posaçme thotë se “po heton në kuadër të procedimit penal nr.255 të vitit 2020, për veprat penale të “Mashtrimi me pasoja të rënda”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, që do të thotë se nën hetim është vënë edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Deri më tani SPAK nuk ka dhënë asnjë provë për përfshirjen e Veliajt në këtë mega-aferë, por akuzat ndaj kryebashkiakut janë të shumta nga ana e opozitës. E vërtetuar është se Erion veliaj e ka vendosur firmën për ndërtimin e këtij inceneratori, por nëse ka shkelje ligji, këtë vetëm SPAK do ta vërtetojë.
Në burg për aferën e inceneratorëve janë ish-ministri Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako dhe disa zyrtarë të tjerë, ndërkohë që në kërkim është shpallur Arben Ahmetaj, për të cilin është dhënë masa e sigurisë “arrest me burg”, por ish-ministri arriti të arratiset pak ditë përpara vendimit të GJKKO.