Gjykata e Apelit i dha fund sot betejës 3 vjeçare mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës për vulën dhe logon e Partisë Demokratike.
Nga sot, lideri historik i demokratëve është edhe kryetari zyrtar i Partisë Demokratike, që ka edhe shumicën e anëtarësisë dhe deputetëve të dalë nga listat e zgjedhjeve të vitit 2021.
Tashmë Sali Berisha dhe deputetët e drejtuar prej tij mund të kandidojnë në zgjedhjet e vitit 2025 me logon e tyre, pasi u detyruan që në zgjedhjet vendore të vitit 2023 të kandidonin në logon e Partisë së Lirisë.
Por çfarë pritet të ndodhë tashmë me PD-në?
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është pothuajse i bashkuar, me vetëm ish-kryeministrin që nuk është pjesë e tij.
Rithemelimi e ka bërë të qartë qëndrimin për deputetët që kanë mbështetur Bashën, duke u kërkuar atyre që të bashkohen me shumicën, ndërkohë që as Berisha dhe as Gazment Bardhi nuk pranojnë rikthimin e Bashës, të cilin e kanë cilësuar si tradhtar.
Basha vijon të jetë pjesë e grupit parlamentar, por tashmë që Rithemelimi ka marrë vulën, nuk është çudi që ta largojë Bashën përfundimisht nga PD, duke e hequr nga grupi dhe nga anëtarësia, për shkak të përplasjeve dhe akuzave ndër vite.
Por edhe pse duket se gjithçka ka marrë fund, beteja për Bashën nuk ka përfunduar ende. Ish-kreu i PD-së e ka ende një mundësi të fundit, që nuk dihet nëse do ta shfrytëzojë. Ai mund të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë për vendimin e Apelit, teksa do të jetë në dorën e gjyqtarëve nëse do ta pranojnë.
Ndërkohë, në zgjedhjet e vitit 2025, Lulzim Bashës do t’i duhet të gjejë një zgjidhje për të kandiduar, pasi është e sigurt që nuk do të jetë në listën e PD-së zyrtare. Një mundësi është edhe kandidimi me një koalicion me partitë e vogla, pasi pak kohë më parë i mblodhi të gjithë kryetarët e tyre.
Për Berishën dhe Bashën tashmë fillojnë beteja të ndryshme. Ish-kryeministri kërkon të rrëzojë nga froni Edi Ramën, ndërsa ish-kreu i PD-së të rimarrë logon dhe vulën, pa të cilat duket se do ta ketë të vështirë të mbijetojë në politikën shqiptare.