Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi ankimojnë në Apelin e Posaçëm vendimin e GJKKO-së, zbulohet trupa gjykuese

Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, kanë ankimuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit vendimin e GJKKO-së për masat e sigurisë ndaj tyre.

Gjykata e Posaçme ka vendosur masë sigurie “detyrim paraqitje” për ish-kryeministrin, ndërsa për Malltezin është vendosur “arrest me burg” për çështjen e privatizimit të kompleksit Partizani.

Ndërkohë, është zbuluar edhe gjyqtarja që do të merret me këtë çështje. Ajo është Iliriana Olldashi, teksa seanca është caktuar të zhvillohet në datën 20 Nëntor në orën 09:00.

Njoftimi:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më 14.11.2023, regjistroi çështjen penale nr. 56 akti, datë 14.11.2023 regjistrimi, mbi ankimin e personave nën hetim S.B. dhe J.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 112, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal.

Sipas shortit, trupi gjykues monokratik përbëhet nga gjyqtarja Iliriana Olldashi. Seanca gjyqësore jopublike është caktuar për më datë 20.11.2023, ora 09:00.