Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësimin lidhur me raportimet se gazetarë dhe punonjës të medias janë ekspozuar ndaj përdorimit të forcës gjatë mbulimit të protestës publike të mbajtur në Tiranë më 24 janar 2026.
Gazetarët ishin të pranishëm në protestë në ushtrim të detyrës së tyre profesionale për të informuar publikun. Përdorimi i gazit lotsjellës, ujit me presion apo mjeteve të tjera të kontrollit të turmës në zonat ku operonin punonjësit e medias, sipas raportimeve mediatike, ka vënë në rrezik sigurinë e tyre dhe ka cenuar lirinë e shprehjes si dhe të drejtën e publikut për t’u informuar. Raportimet në media, përfshirë pretendimet për përdorimin e spray-t ndaj fotoreporterit Felix Bilani dhe përdorimin e ujit me presion ndaj gazetares Marsi Korreshi gjatë ushtrimit të detyrës, ilustrojnë rreziqet më të gjera me të cilat përballen gazetarët gjatë mbulimit të tubimeve publike.
Rrjeti SafeJournalists shpreh solidaritetin me të gjithë gazetarët, operatorët dhe fotoreporterët e prekur gjatë ushtrimit të punës së tyre.
Rikujtojmë se autoritetet mbajnë përgjegjësinë parësore për mbrojtjen e gazetarëve gjatë tubimeve publike. Në këtë kontekst, theksojmë se Policia e Shtetit ka miratuar një protokoll specifik për sigurinë e gazetarëve, përfshirë edhe gjatë protestave, i cili duhet të zbatohet plotësisht në praktikë. Për këtë arsye, kërkojmë një reagim të menjëhershëm dhe transparent nga Policia e Shtetit lidhur me ngjarjet e 24 janarit, përfshirë sqarimin nëse protokolli është respektuar, identifikimin e çdo dështimi dhe masat që do të merren për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.
Rrejti SafeJournalists thekson gjithashtu se organizatat mediatike dhe drejtuesit e redaksive kanë një përgjegjësi të qartë për mbrojtjen e stafit të tyre. Dërgimi i gazetarëve për të mbuluar protesta me rrezik të lartë pa përgatitje të mjaftueshme, vlerësim rreziku apo pajisje mbrojtëse i ekspozon ata ndaj rreziqeve serioze. Redaksitë duhet të marrin masa konkrete për të garantuar sigurinë e gazetarëve, operatorëve dhe fotoreporterëve, përfshirë planifikimin e sigurisë, pajisjet e duhura dhe përgjegjësi të qartë editoriale për menaxhimin e rrezikut.
Rrjeti SafeJournalists do të informojë aktorët përkatës kombëtarë dhe ndërkombëtarë lidhur me këtë rast.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.