Rrezik në Qukës–Qafë Plloçë: Kapri dhe Doda nxjerrin pamjet nga terreni dhe paralajmërojnë qytetarët

Erald Kapri, deputet i Partisë Mundësia, dhe Barbara Doda, sekretare e përgjithshme e Partisë Mundësia, kanë publikuar një video të filmuar nga terreni në aksin Qukës–Qafë Plloçë, ku evidentojnë problematika të rrugës dhe kërkojnë vëmendje mbi rrezikun që, sipas tyre, kjo situatë paraqet për qarkullimin.

Në pamjet e shpërndara, ata pretendojnë se ka dëmtime të dukshme në disa segmente dhe se janë bërë ndërhyrje të improvizuara për të mbuluar çarjet.

Në video, ata shprehen: “Kanë mbushur komplet çarjet e rrugës me bitum”, ndërsa më tej paralajmërojnë se “ka rrezik të të bien dhera sipër, traseja ka rënë”. Po ashtu, theksohet edhe kostoja e projektit: “260 mln euro janë shpenzuar në këtë rrugë”.

Në deklaratën e tyre, Kapri dhe Doda e cilësojnë këtë aks si të pasigurt, duke ngritur shqetësimin se problematika të tilla vijnë pas një procesi të gjatë ndërtimi dhe investimesh të konsiderueshme.

Ata kërkojnë që situata të trajtohet si një problem që lidhet me standardet dhe sigurinë e rrugës, ndërsa pretendojnë se problematika të ngjashme shfaqen edhe disa kilometra më tej.

“Nuk do e besoni çfarë ka ndodhur në aksin Qukës-Qafë Plloçë. Jemi këtu bashkë me Eraldin.
Tani po të shikoni këtu, këtu kemi kusitë ku është djegur bitumi dhe ja ku e kemi, me kanaçe e kanë marrë nga kusia bitumin, kanë ecur, kanë ecur kanë shkuar dhe kanë mbushur komplet çarjet e rrugës me bitum. Për ta fshehur të gjithë rënien e rrugës. Por pasojë e kujt është kjo?

Është pasojë e korrupsionit. 260 mln euro janë shpenzuar në këtë rrugë, nga 2009 ka nisur të ndërtohet dhe Edi Rama dhe Belinda Balluku e inauguruan me festival në shtator. Dhe shikoni ku jemi sot ka rrezik të të bien dhera sipër, traseja ka rënë. Kjo është rrugë e rrezikshme, edhe pse ka kushtuar 6 mln euro/kilometer.
Pak kilometra më tutje shihni gjendjen e rrugës!
Ndonëse u deshën 16 vite të ndërtohej, 260 mln euro, disa projekte, kjo rrugë është e rrezikshme dhe pa standarde.”