Rrëmbimi i 3 policëve, Kosova merr vendimin drastik, bllokohet hyrja e të gjithë mallrave serb, Kurti: Përpjekje për përshkallëzim të situatës

Pas rrëmbimit të 3 policëve nga Serbia, qeveria e Kosovës ka vendosur që asnjë mall serb të mos futet në territorin kosovar.

Përsa i përket ngjarjes së ndodhur, kryeministri Albin Kurti është shprehur se arrestimi i policëve ka ardhur si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të Millun Millenkoviç, një person me precedentë kriminalë. Sipas tij, hyrja e forcave serbe në teritorin e Kosovës është agresion dhe përpjekje për përshkallëzim të situatës.

Reagimi i Kurtit:

Tre zyrtarë të policisë së Kosovës janë rrëmbyer sot në Leposaviq në vendin ku dikur kishte një rrugë ilegale të kontrabandës e që ndodhet rreth 300 metra në brendësi të territorit të shtetit tonë.

Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës.

Policia e Kosovës është treguar tejet e vetëpërmbajtur këto javët e fundit.

Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim.

Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ftojmë faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë.