Jeta para pavarësisë së Shqipërisë ishte një aventurë e vërtetë politike e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemal bej Vlorës. Një politikan brilant, një lider opozite në parlamentin e parë Osman, Ismail Qemali ka lënë gjurmë të shumta në historinë e Perandorisë Osmane. Studiuesja Turke, Esma Karadag, kandidate shkencash në Universitetin e “Cape Town” në Afrikën e Jugut, i ka kushtuar një punim të gjatë aktivitetit të Ismail Qemalit në lidhje me perspektivën osmane në luftrat e Afrikës Jugore në fund të shekullit të 19-të.
Në një kapitull mbi jetën politike të Ismail Qemalit, studiuesja turke hulumton edhe për akuzat që bëheshin ndaj politikanit të zgjuar shqiptar, që sipas saij ishte filo britanik dhe që ishte imponuar fort në politikën osmane.
Në lidhje me personalitetin, akuzat dhe dobësitë e Ismail Qemalit, ajo nënvizon se ai akuzohej për rryshfet, dsahuri për paratë si dhe akuza të forta për rryshfet, derisa njëherë çështja përfundoi me grushta në parlamentin Osman.
“Sipas një raporti të Ministrisë së Jashtme Britanike, Ismail Qemali ishte një folës i keq, por një shkrues i mirë. Ai ishte një njeri me ide të plota. Ai fliste rrjedhshëm shqip, greqisht dhe frëngjisht.
Ismail Qemali ishte i patrembur dhe i pavarur. Ndaj Syrja Beut, Ismail Kemal kishte një qëndrim serioz dhe të hijshëm.
Ai ishte një politikan i aftë dhe kishte një njohuri të thellë të diplomacisë evropiane.
Ismail Qemali u kritikua shumë për dashurinë ndaj parave dhe ekstravagancën e tij. Ali Hajdar Mid’hat’, i biri i Mid’hat Pashës, tregoi se Ismail Kemali kishte një dobësi ndaj parave. Ai u kishte premtuar një zonë influence, në territorin shqiptar, grekëve, italianëve dhe austriakëve për të marrë para. Ai merrte edhe një rrogë prej 10 000 dhrahmi nga mbreti i Greqisë.
Ai merrte para nga sionistët, italianët dhe britanikët, Khedivi i Egjiptit dhe madje edhe nga sullatani Abdulhamid II, ndërsa denonconte organizatat kundër sulltanit.
Një dokument i Zyrës së Jashtme Britanike e përshkruan atë si të paqartë në lidhje me paratë.
Syrja Bej Vlora e përshkroi personalitetin e tij si egoist dhe të pangopur dhe tha se i pëlqente plangprishja.
Për të, Ismail Qemali nuk mendoi kurrë për profesionin e tij, familjen apo miqtë, por për veten e tij. Ai gjithmonë kishte një luftë për të fituar dhe qëllimi i tij i vetëm në këtë botë ishte të kënaqte egon e tij.
Syrja Beu akuzoi Ismail Qemalin se punonte për mirëqenien dhe përfitimin e tij, jo për mirëqenien e Shqipërisë.
Ismail Qemali u akuzua edhe për ryshfet. Le Jeune Turc, një gazetë xhonturke, e botuar në frëngjisht, pretendoi se Sir Ernest Cassel, drejtori i Bankës Kombëtare, i dha ryshfet Ismail Qemalit me një shumë prej 10 000 paundësh në formën e një kredie. Ismail Qemali, pasi e mësoi këtë nga redaktori i gazetës, deklaroi në Parlamentin Osman: “Nuk mund të kishte njeri në atë Parlament aq budalla dhe frikacak sa të kishte shpikur një fabul të tillë”. Më pas, deputeti Dr. Ismeti tha se ai e kishte shkruar këtë gjë në gazetë. Ismail Qemali iu përgjigj sërish: “Atëherë je ti që je qyqar.” Dr. Ismeti u hakmor dhe e goditi. Ismail Qemali e shtyu te dera. Më pas ata u ndanë dhe Dr. Ismetin e larguan nga salla”, thuhet në studimin e Esma Karadag.