Rrëfimi i prekës i Edmond Tupjas: Godita djalin me autizëm! Më çarmatosi kur më tha “të kam xhan o ba”

Shkrimtari i njohur Edmond Tupja ka rrëfyer një histori prekëse nga jeta e tij, që ka të bëjë me djalin e tij.

Ai tregoi se ka një djalë autik, të cilin e ka goditur një herë, por kjo i ka mbetur peng në jetë. Tupja tha se ngjarja ka ndodhur një natë kur i biri nuk po e linte të flinte, por fjalët e djalit e kanë “çarmatosur” dhe e kanë bërë të reflektojë.

“Të kam xhan o ba”, ishin fjalët e të birit, që sipas shkrimtarit, i këputi shpirtin dhe e ndryshoi.

“Momenti që më ka tronditur më shumë në jetën time ishte kur djali u diagnostikua me autizëm. Nuk kishte ende dhunë, por rrinte me netë të tëra pa gjumë dhe neve nuk na linte të flinim. Kam shkruar tek libri “dhimbja fal dashuri”. Në orët e gjumit krevati i djalit ishte nga ana ime, jo nga ana e gruas sime sepse ajo lodhej, iu përkushtua pafund, ajo është heroina e familjes time. Hoqi dorë nga piktura, ishte një piktore e mirë. Hoqi dorë nga ilustrimi i librave për fëmijë.

Kishim netë pa gjumë, të rrish pa gjumë është e tmerrshme. Nuk të çlodhej truri. Kishim javë të tëra kështu, isha aq i drobitur saqë nuk i përkisja vetes dhe në një moment të caktuar ai fliste, grindej, unë i trullosur nga pagjumësia, pashë një dorë që u çua dhe goditi tim bir, ishte dora ime. Isha i pavetëdijshëm se çfarë bëja dhe dëgjoj zërin e djalit ‘o më vrave o ba’. Pastaj dëgjova zërin tim ‘mirë ta bëra’ dhe pastaj dëgjova tim bir që u çarmatosa komplet ‘të kam xhan o ba’.

Kjo ‘të kam xhan o ba’, kjo mua më ndryshoi (përlotet). Më këputi shpirtin, por më ndryshoi. Që atëherë e mblodha veten. Ata të japin dashuri. Kur e ëma i gatuan diçka që e ka qejf ai shkon pa u ndjerë nga mbrapa e puth në kurriz, mami të kam xhan, babi të kam xhan, të kam këtu tek zemra’’, tregoi shkrimtari në “Mos i bjer me top” në Top Channel.