Gazetari dhe moderatori Blendi Fevziu ka bërë një rrëfim emocionues për një ngjarje të ndodhur vite më parë, kur ishte 25 vjeç. Ai tregoi në podcastin me kryeministrin Rama se pas një sherri me një dekan fakulteti, i kishte bërë atij një shkrim të gjatë ku e quante “spiun të sigurimit”.
Por, ajo që ka bërë ka mbetur gjatë në memorien e tij, teksa thotë se sot i vjen keq, por nuk mundet t’i kërkojë falje pasi personi të cilin kishte lënduar, nuk jeton më. Këshilla e tij për të gjithë, sidomos për gazetarët, është që të lëndojnë sa më pak, pasi të mos lëndosh është thuajse e pamundur.
“Dhe vras mendjen ndonjëherë dhe them, sa njerëz kam lënduar, dhe a do jenë këta njerëz, disa prej tyre nuk jetojnë më, se nganjëherë i lëndon pa dashje, rrethanat, nuk i di gjërat. Ose kur merr kot, ose mosha ndikon. A do jenë këta njerëz, sikur të ishin gjallë të gjithë ose dhe ata që janë, që ta kuptojnë që ka qenë një gjë që ka ndodhur dhe sot të ta falin këtë gjë. Sot që jam në këtë moshë, mundohem gjithnjë e më shumë ta shoh këtë gjë që, lëndo sa më pak. Nuk kam për ta harruar kurrë një njeri që s’jeton më. Dikur kur isha 25 vjeç, ai ishte dekan i një fakulteti, pati një sherr me mua dhe me Preçin, dhe unë iu turra me një shkrim të gjatë ku e quajta ‘spiun i sigurimit’ e të gjitha. Mbase kishte bashkëpunuar me Sigurimin, nuk e di se nuk është se i kishim gjërat e sakta atëherë. Por reagimi i menjëhershëm, mllefi për ta goditur atë njeri, për ta lënduar, që ishte në moshën e babait tim, se ishte një njeri që unë e kisha njohur. Sot kur e kujtoj, më vjen keq, edhe unë nuk kam ku t’i them ‘më fal’, sepse ai nuk jeton më. Nuk mund t’u shkoj te varri dhe t’i them më fal për atë gjë. Por vite më mbrapa e kam ndjerë dhe kam thënë: gjëja e vetme që mund të kesh, një gjë po do që të jesh në paqe me veten tënde është, mundohu të lëndosh sa më pak njerëz, se të mos lëndosh është e pamundur. Gjithmonë do prekësh dikë, do përballesh me dikë, do i biesh më qafë dikujt, pa dashje, sikurse edhe të bien”, u shpreh Fevziu.