“Rikthimi i Bashës sjell sërish humbje”, Ardian Isufi: Po bëhen lëvizje skematike për zgjedhjen e kryetarit të ri

Aktivisti Aridan Isufi ka komentuar situatën në Partinë Demokratike, e cila tashmë është e përçarë në 3 grupe, pas qëndrimit të mbajtur nga Gazment Bardhi dhe 16 deputetë të tjerë kundër zgjedhjeve për kryetarin e ri të kësaj force politike.

Sipas Isufit, përçarja e PD-së ka ardhur nga individët, teksa shtoi se rikthimi i Bashës në krye të partisë do të sjellë vetëm humbje. Përsa i përket zgjedhjeve që do të zhvillohen nga Pd e vulës për kryetarin e ri të partisë, ai tha se po bëhen “lëvizje skematike”, duke hedhur dyshime në lidhje me legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve.

“Përçarja e Partisë Demokratike ka ardhur në një moment shumë të rëndë ku e djathta dhe PD nuk frymëzojnë më. Basha po tenton të marrë sërish PD-në e vulës. Një nga problemet themelore është se nuk dihet anëtarësia në këto palë, dhe nga këtu nis edhe manipulimi i votës. Flitet për këto Këshillat Kombëtarë. Kuptohet se ky zhvillim po bëhet që të vijë Basha në krye të PD-së së vulës.

Është shumë e qartë se një pjesë e vogël e PD-së kërkon të vijë sërish Basha që të jetë në shërbim të një grupi të vogël dhe jo shoqërisë shqiptare. Sot nuk ka më nevojë për Parti Demokratike. E djathta kërkon një alternativë të re. Rikthimi i Bashës nuk do sillte asgjë të re, pasi në zgjedhje do kishte sërish humbje të votës së demokratëve. Duhet të kishte një dorëheqje të Berishës dhe Bashës së bashku. E gjitha po ndodh për interesa personale të dy grupimeve që nuk kanë më çfarë i japin PD-së.

Përmes këtij mediokriteti të PD-së PS-së dhe Ramës po i dhurohet pushteti. Pozita përfiton shumë nga kjo luftë e brendshme, pasi opozita nuk merret me problemet e rëndësishme, por me këtë luftë provinciale. Duhet të kishte një frymë të re, për të ardhur personazhe të reja në parti. Po të shohim edhe kushtet e vendosura për kryetarin, nuk i jepet hapësirë prurjeve të reja.

Unë mendoj se gjithë këto lëvizje janë skematike për zgjedhjen e kryetarit. Ka emra që bëjnë sikur, për të legjitimuar zgjedhjet. Shoqëria sot ka avancuar dhe kjo klasë politike po e mban peng. Individi po ecën me shpejt se kjo strukturë politike nga të dyja kahet. Të gjithë flasin për Evropën, por ka kontradiktë me realitetin. Alternativa e re duhet të jetë larg PD-së. Shoqëria nuk mund të mbahet peng nga disa njerëz të ezauruar politikisht”, u shpreh Isufi.