Rënia pikiatë e euros do ulë punësimin

Monedha europiane euro shënoi rënien më të madhe historike në raport me lekun shqiptar. Këtë të shtunë, euro u shkëmbye me 108 lekë. Rënie në raport me lekun kanë shënuar edhe monedhat e tjera të huaja si dollari apo paundi britanik.

Ekspertët ende nuk kanë një shpjegim shterues për këtë forcim të lekut ndonëse zgjedhjet lokale mbaruan dhe sezoni turistik që sjell qarkullim të madh të euros nuk ka nisur edhe si duhet.

Arsyeja më bindëse mbetet qarkullimi i lartë i euros nën dorë në ekonominë shqiptare, kryesisht e krimit të organizuar që i pastron përmes bizneseve fiktive apo në sektorin e ndërtimit.

Banka e Shqipërisë ka humbur mbi 200 milionë euro vitin e shkuar për shkak të ndërhyjes së saj në stabilizimin e situatës, duke blerë euro në treg. Por duket që Banka e Shqipërisë ka dështuar në rolin e saj dhe tashmë ekonomia shqiptare do vuajë pasoja të renda dhe afatgjatë.

Teksa rënia e euros nuk ka të ndalur, çdo biznes shqiptar që eksporton mallra dhe shërbime në vendet e Bashkimit Europian është në prag falimentimi.

Bëhet fjalë për biznese që punësojnë një numër të konsiderueshëm shqiptarësh si sektori i call-center apo fasoneria, të cilët punojnë me porosi. Ulja e euros godet direkt fitimet e tyre të programuara ç’ka do ndikojë në shkurtime të shumta në staf.

Por dëmi afatgjatë me uljen e fortë të euros pritet të jetë i konsiderueshëm. Sektori i bujqësisë dhe sektori i ndërtimit do preket masivisht me rritje çmimesh të produkteve.