Rënia e euros, Erald Kapri kërkon raportimin e Sejkos: Të thotë ku është limiti! Rrezikohet humbja e mijëra vendeve të punës

Në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, deputeti Erald Kapri i Partisë Mundësia ka ngritur shqetësimin e rënies së euros, që prej më shumë se 1 viti nuk ndal zhvlerësimin në raport me lekun.

Ai kërkoi që në atë Komision të raportojë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i cili duhet të thotë se deri ku është limiti i rënies së euros, pasi shumë punonjës të Bankës po ngrenë alarmin për një pasojë të pakthyeshme të ekonomisë shqiptare, ku rrezikohen dhjetëra mijëra vende pune në disa industri që operojnë në Shqipëri dhe eksportojnë jashtë vendit.

Kapri iu referua raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, që tregonte se në Shqip ëri futen shuma të mëdha eurosh nga grupet kriminale, të cilat i pastrojnë paratë kryesisht në fushën e ndërtimit dhe turizëm.

Për Kaprin, raportimi i Gent Sejkos është i domosdoshëm, për shkak semund të kemi të bëjmë edhe me një cënim të sigurisë kombëtare, për shkak se kemi të bëjmë me një fluks të parave të pakontrolluara që janë futur në ekonominë shqiptare.

Pjesë nga fjala e Erald Kaprit në Komision:

Rënia e nivelit të euros në raport me lekun ka arritur në një situatë shqetësuese, sa shumë punonjës të ndershëm të Bankës së Shqipërisë po ngrenë alarmin për një pasojë të pakthyeshme të ekonomisë shqiptare.

Rënia e euros që duket si rezultat i futjeve të shumave të mëdha nga grupet kriminale në Shqipëri dhe të pastrimit të tyre kryesisht në fushën e ndërtimit dhe turizëm, siç thotë raporti i Departamentit të Shtetit, mund të rrezikojë vendet e punës të dhjetëra e dhjetëra mijërave shqiptarëve të disa industrive të konsoliduara në Shqipëri, të cilat të gjitha eksportojnë.

Është e rëndësishme që Guvernatori të paraqitet në Komision dhe të na thotë se ku është limiti se ku mund të bjerë euro.

Sepse u bë mbi një vit e pak që euro nuk ndal së rëni. Që pas luftës në Ukrainë, ne jemi i vetmi vend në gjithë Europën kontinentale, që euro ka rënë.

Të vijë në Komision edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë për të raportuar mbi të gjithë flukset e parave të pakontrolluara në ekonominë shqiptare, por edhe për dënim e mundshëm që po shkakton rënia e euros, dhe nëse mund të konsiderojmë që jemi afër një cënimi të sigurisë kombëtare.