Pensionistët e huaj që ëndërrojnë ta kalojnë pleqërinë nën diellin e Rivierës Franceze mund të duhet të rimendojnë planet e tyre. Qeveria franceze po synon t’u heqë aksesin falas në kujdesin shëndetësor publike pensionistëve jo-shtetas të BE-së, duke i detyruar ata të paguajnë një kontribut minimal.
Lëvizja pritet të godasë veçanërisht pensionistët amerikanë, të cilët vitet e fundit janë shpërngulur në Francë jo vetëm për ushqimin, kulturën e peizazhet, por edhe për shërbimin shëndetësor falas dhe cilësor.
Sipas ligjit francez, qytetarët jo-europianë të cilët kanë vizë qëndrimi afatgjatë, të ardhura vjetore mbi 23 mijë euro dhe sigurim shëndetësor privat, mund të përfitojnë kartën “carte vitale” pas tre muajsh qëndrim. Kjo kartë u siguron atyre akses falas në sistemin publik shëndetësor – dhe shumë prej tyre më pas anulojnë sigurimin privat. Ky model është bërë veçanërisht tërheqës për të moshuarit nga SHBA.
Shumica e deputetëve francezë tashmë mbështesin idenë që këta pensionistë të paguajnë një tarifë minimale. Masa ka kaluar në dy degë të parlamentit gjatë diskutimeve për buxhetin dhe, meqë ka marrë mbështetjen e qeverisë, mund të hyjë në fuqi që vitin e ardhshëm.
Versioni i ndryshuar nga Senati parashikon që detyrimi të vlejë vetëm për shtetasit jashtë BE-së që nuk paguajnë taksa apo kontribute të tjera sociale në Francë. Shuma e kontributit ende nuk është përcaktuar, teksa tarifa mund të ndryshojë sipas nivelit të mbulimit shëndetësor, por do të jetë gjithsesi më e lirë se sigurimet private në SHBA, të cilat kushtojnë 300–500 euro në muaj.