Kryeministri Edi Raaa vijon të këmbëngulë se investimi i Jared Kushner në Zvërnec do të bëhet, pavarësisht protestave të vazhdueshme të qytetarëve shqiptarë kundër qeverisë së tij.
Në një intervistë të fundit për Associated Press, ai tha se këto protesta po amplifikohen nga faktorë të jashtëm, ndërsa akuzoi Iranin për një fushatë të vazhdueshme kibernetike kudnër Shqipërisë.
Intervista e AP: Rama mbron projektin luksoz të lidhur me Kushnerin
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është zotuar se do të vijojë me projektin luksoz të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e Presidentit amerikan Donald Trump, pavarësisht valës së protestave kundër tij.
Në një intervistë për Associated Press të martën, Rama i hodhi poshtë kundërshtimet mjedisore, duke i cilësuar si rezultat të dezinformimit. Sipas tij, ky investim po e shndërron Shqipërinë nga një vend i injoruar dikur nga investitorët, në një vend “ku kapitali i madh dhe investitorët e mëdhenj duan të vijnë”.
Qeveria shqiptare argumenton se projekti do të ketë një ndikim transformues për vendin, në një kohë kur Shqipëria synon të zhvillojë turizmin elitar dhe të avancojë procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
Megjithatë, mijëra qytetarë janë bashkuar në protestat e përditshme përpara Kryeministrisë në Tiranë, përfshirë edhe të martën, kundër projektit që parashikon ndërtimin e hoteleve, apartamenteve, vilave dhe një marine për jahte.
Kryeministri deklaroi se ende nuk ka nisur një vlerësim formal i ndikimit në mjedis, megjithëse puna për pastrimin e territorit brenda zonës së mbrojtur ka filluar.
I pyetur nëse mund të tërhiqej nga projekti, Rama u përgjigj prerazi: “Të tërhiqem nga çfarë?”
Ndërkohë, agjencia shqiptare kundër korrupsionit ka hapur një hetim lidhur me projektin. Qeveria pretendon se toka është pronë private, por janë shfaqur pretendime rivale mbi procesin e privatizimit të saj.
“Vendi juaj është mahnitës”
Rama tregoi se ideja për investimin e Kushnerit lindi rastësisht. Ai kujtoi një darkë në jug të Shqipërisë me Jared Kushnerin, bashkëshorten e tij Ivanka Trump dhe miq të tyre, të cilët kishin ndaluar në portin e Durrësit për të furnizuar me karburant jahtin e tyre gjatë rrugës drejt Malit të Zi.
Sipas Ramës, disa muaj më vonë, gjatë një takimi të liderëve politikë dhe drejtuesve të biznesit në Davos të Zvicrës, Kushner i shprehu interesin për të investuar në Shqipëri.
“Vendi juaj është absolutisht mahnitës dhe ne do të dëshironim të gjenim një mundësi për të investuar”, kujton Rama t’i ketë thënë Kushneri.
Një kompani investimesh e lidhur me Kushnerin ka marrë statusin e investitorit strategjik nga autoritetet shqiptare.
Projekti luksoz përbëhet nga dy pjesë: një zhvillim turistik në zonën e Lagunës së Nartës, e cila është zonë e mbrojtur natyrore, dhe një resort më i vogël në ishullin e pabanuar të Sazanit, ish-bazë ushtarake e periudhës komuniste.
“Ky është ende një proces planifikimi”
Punimet për pastrimin e territorit kanë nisur tashmë brenda zonës së mbrojtur të përdorur nga shpendët shtegtarë, duke nxitur shqetësime nga organizatat mjedisore për shkatërrimin e habitateve të ruajtura prej dekadash.
Shqipëria ka rreth 450 kilometra vijë bregdetare, e cila për dekada me radhë mbeti kryesisht e pazhvilluar për shkak të regjimit komunist.
Rama tha se vlerësimi formal i ndikimit në mjedis nuk ka nisur ende, pasi projekti nuk është finalizuar. Sipas tij, arkitektë dhe ekspertë ndërkombëtarë të mjedisit po vazhdojnë punën për hartimin e planit.
“Kur bëhet fjalë për mjedisin, ende nuk ka një projekt përfundimtar dhe nuk ka ende një vlerësim të ndikimit në mjedis, sepse ky është ende një proces planifikimi”, deklaroi ai.
Rama argumentoi gjithashtu se Shqipëria ka një histori të mirë në mbrojtjen e natyrës, duke përmendur ndalimin e gjuetisë dhe prerjes së pyjeve, masa që sipas tij kanë ndihmuar në rikthimin e popullatave të flamingove.
“Kemi dokumentacion të shkëlqyer që tregon se si fauna e egër në Shqipëri u rikthye falë moratoriumit 10-vjeçar të gjuetisë”, tha ai.
Që nga fundi i muajit maj, ekskavatorë dhe mjete të tjera të rënda kanë hyrë në zonën ku planifikohet zhvillimi i projektit, duke hapur rrugë hyrëse, gërmuar në dunat ranore, pastruar sipërfaqe mes pyjeve me pisha dhe vendosur gardhe rrethuese.
Rama: Kritikat janë të mbushura me “gjysmë të vërteta”
Kryeministri sugjeroi se një pjesë e reagimeve kundër projektit po amplifikohen nga faktorë të jashtëm, duke përmendur atë që ai e përshkroi si një fushatë të vazhdueshme kibernetike iraniane kundër Shqipërisë.
Shqipëria prej vitesh akuzon Iranin për mbështetje të sulmeve kibernetike ndaj infrastrukturës së saj digjitale, pas strehimit në vend të anëtarëve të një grupi opozitar iranian. Teherani i ka mohuar vazhdimisht këto akuza.
“Ka shumë manipulim. Ka shumë gjysmë të vërteta që, nga ora në orë, shndërrohen në gënjeshtra gjithnjë e më të mëdha”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se nuk po akuzonte protestuesit individualë si agjentë të huaj.