Kryeministri Edi Rama kishte të ftuar sot në Podcastin “Flasim”, ministren për Administratën Publike dhe anti-Korrupsionin, Adea Pirdenin.
Ai tregoi në fillim të podcastit sakrificën që bëri pas ndërhyrjes kirurgjikale, pasi nuk mundi të qëndrojë 3 ditë pushim siç i thanë mjekët, por 3 ditët pas ndërhyrjes kanë qenë me një axhendë shumë të zënë.
Rama tha se të nesërmen pas operacionit duhej të priste në këmbë Presidentin turk Erdogan, të cilin e quan “sulltan”, ndërsa një ditë më vonë duhet të shkonte në Hungari të takohej me Viktor Orban.
Më pas, radhën e kishte Brukseli, ku Shqipëria hapi negociatat me Bashkimin Europian. Kryeministri tha se mjekët i bënë disa injeksione për të shmangur dhimbjet, por që kishin si pasojë qëndrimin pa gjumë.
“Duke qenë se mu desh të kaloj një ndërhyrje kirurgjikale dhe pastaj të marr rrugët kundër shkencës komplet, sepse më duhet të qëndroja të paktën 3 ditë pushim, por ishin 3 ditë komplet të pamundura, sepse të nesërmen duhet të isha në këmbë për të pritur sulltanin (Erdogan) që vinte nga Lindja. Pastaj duhet të nisesha të nesërmen të merrja rrugët për të shkuar në qendrën e ish-Perandorisë Austro-hungareze për të takuar mikun tim Viktor Orban, që është edhe kryeministri i vendit që ka Presidencën e BE-së, për ta falendeuar për gjithçka bëri Hungaria për këtë shtysë të fundit dhe pastaj duhet të shkonim së bashku dhe të uleshim më në fund në atë sofër si të barabartë që fillojnë bisedojnë për t’u bashkuar përfundimisht dhe kjo bëri që nën efektin e disa injeksioneve shumë të forta që kishin si pasojë qëndrimin pa gjumë, për të shmangur dhimbjet, kam shëtitur pas shumë vitesh nëpër ekrane”, tha Rama ndër të tjera.