Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë përmbytje të mëdha në vendin tonë, ku më i prekur është qyteti i Durrësit, që edhe ditën e sotme gjendet nën pushtetin e ujit.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë, ku në një postim në rrjetet sociale ka tentuar të bëjë ironi me opozitën, pasi kjo e fundit e akuzoi qeverinë e tij se nuk ka bërë asnjë investim për të shmangur përmbytjet që ndodhin çdo vit.
Kreu i qeverisë ironizon teksa thotë se nuk e kupton përse nuk e fajësojnë atë edhe për përmbytjet në vendet e tjera të rajonit.
“Nuk e kuptoj pse nuk po më fajësojnë akoma mua, qeverinë apo qoftë edhe bashkinë e Durrësit, për reshjet mbytëse të këtyre ditëve në Itali, Greqi, Mal të Zi, Kroaci e me radhë… Çudi e madhe opozitat andej, po të paktën të fajësonin qeveritë e tyre, por hiç, asnjë llaf, s’e kuptojnë që aleanca me shiun të çon në fitore”, shkruan Rama.
Por, duhet kujtuar që po Rama ka qenë ai që gjatë viteve në opozitë fajësonte qeverinë për mungesë investimesh, ndërkohë që pas 12 viteve në pushtet situata mbetet e njëjtë. Në fund, politika ironizon, ndërsa qytetarët vuajnë.
