Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish drejtësinë, teksa grupi parlamentar i Partisë Socialiste është mbledhur sot për të vendosur se çfarë qëndrimi do të mbajnë në lidhje me zv.kryeministren Belinda Balluku, pas kërkesës së SPAK për arrestimin e saj.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se drejtësia sot në Shqipëri është si qeveria shqiptare e vitit 1992, ndersa shtoi se drejtësia e re duhet të jetë e paanshme.
Sipas Ramës, edhe pse me bekimin e qeverisë, drejtësia e re ka marrë shpatën e luftës kundër korrupsionit, kjo qeveri po goditet si me e korruptuara dhe e kriminalizuara.
Ndër të tjera, Rama sulmoi edhe mediat, duke i etiketuar si “uturakët më të mëdhenj mediatikë, që sipas tij flasin me fakte të pabaza, ndërsa dosjet me të gjitha faktet për evazion fiskal janë në Prokurori prej vitesh.
“PS ka qenë forca udhëheqëse e reformës në drejtësi. Duhet të ishte vetëm PS që ta drejtonte këtë reformë, sepse ata të Rrugës së Elbasanit këtu kanë qenë prej shumë e shumë kohësh. E dija që reforma do vinte me gjak e me baltë mbi ne. Shpata e drejtësisë e pavarur do vepronte mbi kokat tona dhe këtë e merrnim me mend. Ne e përmbysëm regjimin e vjetër të drejtësisë. Kjo drejtësi, ngaqë është e re nuk është profesionale. Drejtësia sot është si qeveria shqiptare në 1912. Është vetëm në fillimet e veta. Për paraburgimet, jemi njësoj si Rusia. Qeveria jonë goditet pa pushim si më e korruptuara dhe Shqipëria baltoset si më e kriminalizuara. Prokuroria nuk heton dosjet për pastrim parash të ‘uturakëve’. Si gëlltitet kjo paburrëri e neveritshme që bëjnë ndaj politikanëve të PS dhe ndaj administratës dhe friken si pula nga dy uturakë, që e bombardojnë publikun me lloj-lloj personazhesh, ndërsa dosjet me të gjitha faktet për evazionin e tyre fiskal janë në prokurori prej vitesh. Këta të parave të zeza nën dorë tregojnë sesi me korrupsionin tim unë paskam korruptuar edhe Komisionin Europian, që mos bëhet si uturakët, ku ata jashtënxjerrin tërë mllefin e tyre. Por Komisioni Europian sheh punën tonë, arritjet tona vlerëson. T’i marrin këshillat e mia këta njerëz për të kuptuar se të jesh gjykatës do të thotë të jesh i paanshëm dhe jo i pavarur. Gjykatësi është bërë palë me akuzën. Do të thotë se është përballje e kotë midis një njeriu që nuk ka asgjë në dorë dhe një force të verbër, që ka të gjitha në dorë”, u shpreh Rama.