Rama: Shqipëria në një udhëkryq të ri, çdo vendnumëro sot do të ishte rënie për ne

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria ndodhet në një udhëkryq të ri, duke theksuar se vendi përballet me rreziqe që kërkojnë disiplinë dhe vendosmëri për të mos humbur ritmin e zhvillimit dhe peshën ndërkombëtare.

Gjatë fjalës së tij para Grupit Parlamentar, Rama u shpreh se pas një fitoreje historike, çeljes së kapitujve të Bashkimit Europian në kohë rekord dhe zhvillimeve të rëndësishme në reformën në drejtësi e në ekonomi, Shqipëria ka hyrë në një fazë vendimtare.

Sipas kreut të qeverisë, projektet në zhvillim dhe ato të planifikuara për këtë mandat janë më të shumta dhe me impakt më domethënës se më parë. Megjithatë, ai paralajmëroi se ekzistojnë rreziqe që mund të çojnë në “vendnumëro”, çka sipas tij do të përbënte rënie të trendit të fuqisë ekonomike dhe të respektimit ndërkombëtar të vendit.

“Rreziku që ne të bëhemi irrelevant qëndron në momentin kur jemi më relevantë se asnjëherë”, theksoi Rama, duke shtuar se sfida aktuale nuk lidhet me dilema strategjike apo ndryshim raportesh forcash, por me rrezikun e vetëkënaqësisë dhe mungesës së disiplinës.

Ai nënvizoi se sprova aktuale ka të bëjë me aftësinë udhëheqëse dhe pjekurinë politike e shoqërore, fillimisht brenda familjes politike, por edhe në shkallë vendi.

“Dua të ndaj këtu me ju, duke përfituar edhe nga prania e publikut përmes mediave, opinionin që kam krijuar lidhur me situatën komplekse ku ndodhemi jo thjesht ne, por vendi ynë sot. Pas një fitoreje historike nga ana jonë, pas çeljes së të gjithë kapitujve të BE-së në një kohë rekord, si edhe pas zhvillimeve që sillen me fatin e reformës së drejtësisë, rrugës ekonomike, qëndrueshmërisë politike etj. Për hir të së vërtetës, besoj se duhet të shohim së bashku se jemi në një udhëkryq të ri. Ekonomia po ecën në një rrugë të qëndrueshme, e cila në harkun e 35 viteve është e pakrahasueshme me vitet e mëparshme.

Ndërkohë që projektet në zhvillim apo në plan për këtë mandat janë më të shumta dhe më domethënëse nga impakti, udhëkryqi ku ndodhemi sot paraqet sipas meje disa rreziqe, ku duhet një adresim i vendosur dhe një disiplinë nga ana jonë dhe, kur them disiplinë, e nis me ne këtu, sepse përndryshe Shqipëria rrezikon të bëjë vend numëro nga gjithçka që kërkon amaneti i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit. Çdo vendnumëro për Shqipërinë sot është rënie e trendit të fuqisë ekonomike apo respektimit të vendit ndërkombëtarisht. Rreziku që ne të bëhemi irrelevant qëndron në momentin kur ne jemi më relevantë se asnjëherë. Ky nuk është një udhëkryq dilemash strategjike apo raportesh të ndryshuara të forcave, por erëra që rrezikojnë të na mpijnë dhe ne të rrëzohemi me këmbët tona. I ka ndodhur më parë në të tjera vende dhe partive më të mëdha. Sot po sprovohet faktikisht aftësia jonë udhëheqëse, pjekuria politike dhe shoqërore. E para e familjes sonë politike, por edhe krejt vendit”, tha Rama.