Rama shpjegon qëndrimin kundër BE për Kosovën: KFOR duhet të marrë kontrollin në Veri

Kryeministri Edi Rama ka dalë sot në një deklaratë për mediat duke folur për sulmin që ndodhi disa ditë më parë në Bënjskë të Kosovës.  Ai tregoi pse Shqipëria nuk u linjëzua me deklaratën e Bashkimit Evropian që i trajtonte njësoj Kosovën dhe Serbinë ndërsa tha se “i kemi kërkuar Brukselit të tërheqë deklaratën dhe të reflëktojë edhe zhvillimet e fundit por ata u përgjigjën se nuk ishte e mundur”.

Qëndrimi i Shqipërisë sipas Ramës nuk është mirëpritur nga Brukseli por do të ndryshojë vetëm kur në deklaratë të paraqiten edhe veprimet e Serbisë.

“Për herë të parë, Shqipëria nuk u linjëzua me një deklaratë të Bashkimit Evropian. Ky fakt ka shkaktuar pështjellim kur ia kemi dërguar Brukselit faktin që deklarata duhet të reflektonte edhe zhvillimet dramatike të ditëve të fundit: vrasjen e efektivit të Policisë së Kosovës dhe shpalljen e ditës së zisë në Beograd për të vrarët. Miqtë në Bruksel na shpjeguan se nuk ishte e mundur diçka e tillë, pasi deklarata ishte qëndrimi publik i datës 20 shtator nga Joseph Borrell pas takimit të dështuar të 14 shtatorit, mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë. Ne jemi përgjigjur që nuk kemi rezervë ndaj deklaratës së BE-së, me kërkesat ndaj Serbisë dhe Kosovës, por kemi theksuar domosdoshmërinë, sipas nesh, që publikimi i kësaj deklarate duhej të bëhej njëkohësisht apo të pasohej nga një deklaratë e dytë mbi zhvillimet e patolerueshme që përmenda. Na u tha se momentalisht kjo nuk është e mundur dhe se Shqipërisë i kërkohej linjëzimi. Përgjigjja jonë ishte negative dhe qëndrimi ynë nuk është pritur mirë nga Brukseli. Ne jemi gati të linjëzohemi sapo të dalë deklarata që ne presim për veprimet dhe mosveprimet e Serbisë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se është i shqetësuar për situatën “me rrezikshmëri të lartë në veri” dhe kërkoi që KFOR të marrë situatën nën kontroll.

“Nuk kam dalë për këtë, por për të shprehur shqetësimin për rrezikshmërinë e lartë në veri të Kosovës. Serbia zgjodhi nderimin për të vrarët nga forcat speciale të Kosovës. Atëherë, çfarë hetimi pret BE? Nga kush? Nga autoritetet e drejtësisë në Kosovë? Këtë nuk e ka thënë zëdhënësi i BE-së dhe nuk besoj se do ta pranonte hetimin e Kosovës, përderisa edhe Kosova është palë në këtë ngjarje. Ne kërkojmë dënimin pa ekuivok të vrasjes së një efektivi të Policisë së Kosovës nga një grup kriminal dhe dënimin i aktit të nderimit në Serbi të disa kriminelëve, të cilët u shfaqën në Banjskë për të demonstrim force të paligjshme me armë të rënda. Çdo hetim i mundshëm, nuk i ndryshon dot këto fakte sa të thjeshta, aq edhe të mjaftueshme për t’u kundërshtuar si fakte. Udhëheqja e Kosovës i ka kusuret e veta në procesin e dialogut me Serbinë, por asnjë nga ato kusure nuk e relativizon dot peshën e jashtëzakonshme të këtyre zhvillimeve të rënda, të cilat nuk krahasohen me asgjë të keqe të ndodhur mes Kosovës dhe Serbisë që nga viti 1999”, shtoi Rama.Ata në Kosovë më bëjnë top, sinqerisht i kuptoj pa asnjë problem ndërkohë që të tjerët, këta që bëjnë biznes politik dhe mediatik në Tiranë me thonjtë e krizave në Veriun e Kosovës i neveris. Të jeni të gjithë të bindur se asgjë nga këto dhe askush nga këta as nuk ma ndryshojnë vizionin dhe as nuk ma lëkundin bindjen dhe as më lëvizin nga pozicioni i paqes të dialogut të bashkëpunimit dhe të shpëtimit njëherë e mirë nga e shkuara që e persekuton këtë rajon prej shekujsh dhe në këtë pikë dua të jem shumë i qartë. Mund të vazhdojnë sa të duan as. Nuk I fryj zjarrit të nacionalizmit dhe nuki shkoj pas konflikteve që pjellin njër-tjetrin dhe shkojnë në gjakderdhje dhe moz e dhëntë Zoti në luftë. Unë shikoj përtej kësaj, që ajo që ndodhi dje të mos përsëritet nesër dhe qeveria e Kosovës të mos degradojë në një arenë luftimesh të përhershme të cilat që mund ta kthejnë në një Dombas të vogël, dhe ta kthejnë të ardhmen në të djeshmen, duke i humbur Shqipërisë, Kosovës dhe rajonit (se unbë jam kryeministër i Shqipërisë për kë nuk e di) për t’u kthyer këtu ku jemi sot. Vonesa mund të sjellë edhe një stok viktimash, ndaj KFOR duhet të marrë në dorëzim veriun e Kosovës” u shpreh Rama.