Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetin social “X” në lidhje me kundërshtimet që ka hasur drafti i Kodit të Ri Penal. Sipas tij, drafti është prezantuar publikisht në mënyrë që të mbledhë gjithë opinionet rreth tij, ndaj edhe të alarmuarit nga ky draft duhet të kujdesen të mos ekspozohen shumë në diell.
Për kreun e qeverisë, problemi më serioz që ka liria në Shqipëri nuk është as regjimi e as drafti i kodit të ri, por ata që e përdorin lirinë vetëm për të bërë sherr e shamata për mungesën e saj.
“Të alarmuarit nga drafti i Kodit të ri Penal dhe gojëmbyllja me ligj e forcave liridashëse politike dhe mediatike, mbase duhet të kujdesen që të mos ekspozohen shumë në diell, ndërkohë që drafti i ekspertëve të nderuar të fushës është prezantuar publikisht pikërisht për të mbledhur në mënyrën më demokratike dhe transparente të mundshme të gjitha opinionet rreth tij.
Hëpërhë problem më serioz që ka liria në Shqipëri nuk është as regjimi, as drafti i kodit të ri jo e jo, po masa domethënëse e atyre që e përdorin lirinë vetëm për të bërë sherr e shamata për mungesën e saj”, shkruan Rama.
Pra, për kreun e qeverisë, të dënosh shqiptarët me burg për fjalën e lirë nuk është problem, por problemi qëndron se shqiptarët kanë më shumë liri se duhet dhe e përdorin për të bërë sherre e shamata.
Mos ndoshta do shtojë edhe ndonjë nen ku të mos kemi kaq liri, për të mos bërë sherr e shamata?