Kryeministri Edi Rama ditën e sotme do të mbajë një takim në Tiranë, me liderët e Ballkanit Perëndimor, dhe komisionerin e Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë Oliver Varhelyi.
Ftesën për takimin që do të mbahet e kanë konfirmuar kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministrja e Bosnjës dhe Hercegovinës, Borjana Kristo si dhe ajo e Serbisë Ana Bërnabiç.’
Ndërkohë kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka njoftuar se nuk do të jetë i pranishëm në takim. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka njoftuar se Albin Kurti nuk do të marrë pjesë pasi muaj më parë ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë tjetër në Greqi.
Kryeziu shtoi më tej se Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, më 16 tetor të këtij viti.
“Para një jave Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është ftuar nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për një drekë joformale me Komisionerin Evropian Oliver Varhelyi në Tiranë e ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë. Natyrisht Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, data e të cilit dihet: 16 tetor 2023”, shkruan Kryeziu.