Rama luftë të hapur SPAK-ut, ndryshimet në Kodin Penal për t’u hequr kompetencat prokurorëve

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar këtë të mërkurë ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale duke sfiduar hapur Prokurorinë e Posaçme dhe duke u hequr kompetencat prokurorëve.

Sipas tij, për veprat penale që parashikojnë dënim maksimal nën 5 vjet nuk do të caktohet më arrest me burg, ndërsa gjykata duhet të shqyrtojë fillimisht masat më të buta dhe arrestin në shtëpi.

“Për vepra me dënim maksimal deri në 3 vjet nuk do caktohen më masa shtrënguese, për vepra nën 5 vjet s’do të caktohet më arrest me burg. Natyra e rëndë e veprës e marrë më vete, s’do mjaftojë më, as heshtja e personit, as mospranimi i akuzës, nuk mund të përdoren më si provë rrezikshmërie. Rreziku duhet të jetë konkret, aktual, dhe i mbështetur me fakte që lidhen me vet personin. Gjykata duhet të bëjë vlerësim të pavarur, dhe nëse kopjon argumentet e prokurorit, dhe nuk arsyeton pse masat më të buta s’mjaftojnë, vendimi bëhet i pavlefshëm. Sa herë caktohet arresti gjykata duhet të vlerësojë edhe garancinë pasurore, me përjashtim të veprave të rënda“, u shpreh ai.

Ndryshimet e prezantuara nga Rama parashikojnë gjithashtu që, me kërkesë të palëve, seancat gjyqësore të mund të transmetohen drejtpërdrejt. 

Ndërkohë Rama bëri me dije se marrja në pyetje e të dyshuarve duhet të regjistrohet me zë dhe figurë. Ndërkohë sa i përket kontrolleve të celularëve ato duhet të bëhën me vendim gjykatë dhe çdo material i nxjerrë që nuk ka lidhje me hetimin duhet të asgjësohet.

“Marrja në pyetje dhe veprimet kryesore do të regjistrohen me zë dhe figurë. Nëse shteti merr në pyetje një njeri duhet të tregojë si e ka marrë dhe sa e ka respektuar. Dhe shkruhet se deklarimet e marra me sjellje me presion apo dhunë nuk vlen. Ndryshimi i 4 vjen si domosdoshmëri për të mbrojtur jetën private në epokën teknologjike. Sekuestrimi i pajisjes nuk mund të jetë më në asnjë mënyrë për të parë dhe lexuar apo parë gjithçka. Për ata hapur duhet vendim i gjykatës…Në rast të urgjencës të përcaktuara nga ligji, veprimi vlerësohet nga gjykata. Çdo material i nxjerrë që nuk ka lidhje me hetimin duhet të asgjësohet. E njëjta gjë në lidhje me përgjimet, duhet të shikohet vetëm ato që kanë lidhje me hetimet. Jeta private e njerëzve pa lidhje me veprën penale, nuk mund të përdoret si instrument presioni apo për ushqim për mediat”, tha Rama.

Sipas kreut të qeverisë, “gjyqtari që kufizon lirinë pa një arsyetim të vetin, prokurori ose oficeri që përhap informacionin e mbrojtur, punonjësi që nuk regjistron marrjen në pyetje dhe oficeri që abuzon me flagrancën ose urgjencën, duhet të përgjigjen personalisht.