Rama kërcënon të rinjtë protestues: Po studiojmë të ulim moshën e dënimit penal, kush shkatërron do paguajë!

Kryeministri Edi Rama ka vijuar me kërcënime ndaj të rinjve që po protestojnë pres 8 ditësh, dhe kërkesë kryesore kanë dorëheqjen e tij.

Gjatë një takimi me mësues në Ministrinë e Arsimit, ku e pranishme ishte edhe ministrja Mirela Kumbaro, Rama i kërcënoi të rinjtë duke thënë se qeveria po shqyrton edhe mundësinë e uljes së moshës për përgjegjësinë penale, një çështje që po diskutohet edhe në vende të tjera te BE.

Ai tha se dëmet e shkaktuara gjatë protestave do të paguhen nga vetë ata që i shkaktojnë, ndërsa paralajmëroi se përgjegjës do të jenë edhe prindërit e nxënësve apo të miturve.

“Po përgatisim një paketë për ata që dhunojnë. Kush dhunon do të ndiqet nga hija e shtetit, që i kërkon një më një dëmshpërblimin. Gjykata, edhe pse në këndvështrimin tim ka lënë për të dëshiruar, i ka konsideruar të gjitha arrestet të ligjshme.

Edhe pse në këtë rast, gjykatësit janë të kompleksuar nga trysnia e madhe e kësaj force të verbër. Edhe në rastet e ndalimit të të miturve gjykata ka dhënë vendim të mbikëqyrjes prindërore. Prindi ka përgjegjësinë e vet, edhe pse jemi të vetëdijshëm se në kushtet e veçanta sociale prindërit duhen ndihmuar, por prindërit do të jenë pjesë e përgjegjësisë së dëmit të shkaktuar nga fëmijët e tyre.

Nuk ka ‘je i mitur dhe nuk mban asnjë përgjegjësi’. Ulja e moshës për dënimin penal është një aspekt që ne po e studiojmë, siç po bën Europa, por ky është instrument i forcës së shtetit. Ne duam të ndjekim aspektin penal, të familjes që i ka këta fëmijë”, tha Rama mes të tjerash.