Rama i shmanget përballjes me Bardhin për ”Xibrakën”, Kuvendi nuk fut në rendin e ditës kërkesën e nënkryetarit të PD

Kuvendi nuk ka përfshirë në seancën e ditës së enjtes më datë 4 prill interpelancën e kërkuar nga kreu i grupit parlamentar të PD Gazmend Bardhi për përfshirjen e vëllait të kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama në laboratorin e drogës në Xibrakë.

Në rendin e ditës të seancës së të enjtes, të bërë pubikë në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë nuk është përfshirë kërkesa e Bardhit.

Kërkesa e Bardhit për interpelancë urgjente u bë me dije ditën e djeshme, ku sipas tij Rama duhet të japë shpjegime për 3 çështje.

1- A ka pasur informacione nga shërbimet informative apo strukturat e Policisë së Shtetit, për shoqërimin e një familjari të tij me anëtarët e një organizate të strukturuar kriminale, apo për përfshirjen e vëllait të tij në këtë veprimtari kriminale? Nëse po, cfarë masash janë marrë. Nëse jo, a ka kryer verifikime dhe a ka kërkuar informacion, pas të dhënave të bërë publike edhe më parë?

2- A ka kërkuar dhe marrë informacion pse i vëllai, person me lidhje të forta politike, është përdorues i të njëjtit automjet me targë AA653DM, që në kohen e planifikimit dhe aktivitetit kriminal të Laboratorit të drogës në Xibrakë, përdoret nga Olsi Rama dhe 3 anëtarët e tjerë të organizatës kriminale?

3- Çfarë e lidhte Olsi Ramën me kreun e narko-organizatës dhe pse krerët e organizatës, bashkë me vëllain tuaj Olsi Ramën përdorin të njëjtin automjet në të njëjtën periudhë të planifikimit dhe ngritjes së laboratorit të kokainës në Xibrakë? Çfarë bën i vëllai me të njëjtën makinë, të cilën e përdor në të njëjtën kohë një organizatë kriminale e trafikut të drogës? ”.

Më herët gjatë ditës së sotme, Olsi Rama kallëzoi në SPAK Bardhin në lidhje me akuzat që deputeti demokrat hodhi në drejtim të tij, për përfshirje të tij në njohje dhe favorizim të grupit kriminal që kishte laboratorin e drogës në Xibrak

Në padi, Olsi Rama thotë se shpifja është bërë për një fabrikim pervers me qëllim manipulimin e opinionin publik, për motive të dobëta politike.

Por për Bardhin, kjo tregon se Olsi Rama është në hall të madh. Bardhi renditi edhe disa fakte që sipas tij inkriminojnë Olsi Ramën me laboratorin e kokainës në Xibrakë.