Rama: I shkruaj Albinit në Whatsapp por rrallë ma kthen

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka folur sërish rreth raporteve të tij me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Rama tha në Rubikon në Klan Kosova se Kurtit i shkruan edhe në WhatsApp por se ai rralë ia kthen.

“Unë s’kam ardhur të bëj debat me Albinin, se debatet me Albinin i zhvilloj në WhatsApp. Debatet, unë flas, ai dëgjon. Rrallë ma kthen, por s’ka lidhje është çështje komunikimi ose vazhdimisht e përsërit mesazhin e tij. Është njësoj sikur i shkruan televizorit dhe televizori kthen përgjigje, është interesant”, tha kryeministri shqiptar i ftuar në një emision bashkë me panelistë të tjerë.

Kryeministri shqiptar ka kërkuar që të organizohet një konferencë për arritjen e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Megjithatë Albin Kurti nuk pranoi ta takonte dje edhe pse ishte vetëm një godinë larg zyrës ku Rama u takua me presidenten Vjosa Osmani.