Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot drejtorin e ri të AKSHI-t Igli Tafa, teksa ish-drejtuesja Mirlinda Karçanaj është në hetim nga SPAK dhe në “arrest shtëpie” për abuzime tendera të zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.
Rama tha se ndihet i pikëlluar për situatën që Karçanaj po kalon, duke e konsideruar si një bahskëpunëtoret e tij të ngushta, që në kohën kur Rama drejtonte Bashkinë e Tiranës. Ai shtoi se Karçanaj ka qenë një nga figurat më të angazhuara në punë, pasi ishte e para që vinte në punë dhe e fundit që largohej.
Kreu i qeverisë tha se beson se Karçanja do të dalë e pastër nga gjithë ky kalvar ku ajo ndodhet, ndërsa shtoi se nuk ka dijeni për kompanitë e përfshira në hetimin e Prokurorisë së Posaçme.
“Desha të vij vetë për të bërë një falënderim shumë të madh për Mirlinda Karçanajn, që ka punuar pranë meje për dy dekada e më shumë, të cilën e njoh si një nga njerëzit më të përkushtuar ndaj funksionit dhe shërbimit publik në këtë vend. Linda ka qenë gjithnjë e para që vinte në punë dhe e fundit që largohej nga puna. Jam i pikëlluar për atë gjithçka ajo po kalon, në radhë të parë për agresionin barbar të portaleve, rrjeteve, dhunës verbale, që e asociojnë për gjëra që s’kanë asnjë lidhje me Lindën. Unë s’kam dijeni për detaje që lidhen me aktivitetin e kompanive të përfshira në hetim, por kam dijeni për faktin që Linda është nënë e vetme me dy fëmijë, ka një karrierë nga më të shkëlqyerat në shërbimin publik. Jam i keqardhur për ata ndër ju që janë vënë nën presion, keqtrajtuar, abuzuar dhe përballur me metoda shtrëngimi të pajustifikueshme në një Republikë Demokratike”, tha Rama.