Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar këtë të mërkurë ndaj një artikulli të publikuar nga Euractiv, i cili trajtonte deklaratat e ministrit të Jashtëm shqiptar për marrëveshjen e migracionit mes Shqipërisë dhe Italisë.
Në një përgjigje publike drejtuar gazetarit Eddy Wax, Rama hodhi poshtë interpretimin e bërë mbi deklaratat e përfaqësuesve shqiptarë, duke e cilësuar citimin e përdorur në artikull si “mjaftueshëm mashtrues” për t’u keqinterpretuar nga persona me interesa ideologjike.
“E kuptoj plotësisht që është qesharake të krijosh një histori Edi kundër Eddy-t, por këtu nuk ka vend për këtë… citimi i reduktuar ishte mjaftueshëm mashtrues për këdo që ka një interes të brendshëm ideologjik ta përdorë atë,” shkroi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se nuk ka asnjë qëllim për polemika publike, duke shtuar se “njëri Eddy duhet të bëjë çfarë të dojë, dhe tjetri Edi duhet të durojë atë që duhet”.
Rama nënvizoi gjithashtu se marrëdhënia mes Shqipëria dhe Italia mbetet e pandryshuar.
“Në fund të fundit, mbetet e pandryshuar: atë që Italia kërkon nga Shqipëria, Italia e merr nga Shqipëria,” u shpreh ai.
Debati u ndez pas një interviste të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, i cili deklaroi se marrëveshja e migracionit Itali–Shqipëri nuk pritet të zgjatet pas vitit 2030, në rast se Shqipëria bëhet anëtare e Bashkimi Europian deri në atë periudhë.
Deklaratat e Hoxhës u pasqyruan gjerësisht në mediat italiane dhe sollën reagime nga zyrtarët në Romë, përfshirë ministrin e Jashtëm italian Antonio Tajani, i cili deklaroi se “viti 2030 është shumë larg” dhe se fokusi duhet të mbetet te angazhimet aktuale.