Rama i ftoi në tryezë, magjistratët nuk tërhiqen: Ligjin për pagat do e dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese

Shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve shprehen se do dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese ligjin e ri për magjistratët, të miratuar dje në Kuvend.

Në një qëndrim të përbashkët, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, Shoqata e Prokurorëve dhe Forumi i Grave Gjyqtare bëjnë të ditur se do të kërkojnë pezullimin e zbatimit të ligjit, shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe shqyrtimin me përparësi të çështjes.

“Shoqatat tona mbeten të palëkundura në qëndrimin e tyre për rivendosjen e të drejtave kushtetuese të magjistratëve, të cilat janë cenuar haptazi nga ligji i miratuar në orët e mesnatës. Në këtë kuadër, informojmë opinionin publik se, me të njëjtën urgjencë me të cilën ky projektligj u shqyrtua, u miratua dhe u dekretua, do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar pezullimin e zbatimit të ligjit, shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën, si dhe shqyrtimin e çështjes me përparësi”- thuhet mes të tjerash ën deklaratën e përbashkët.

Deklarata

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë dhe Forumi i Grave Gjyqtare të Shqipërisë shprehin vendosmërinë e tyre për të vijuar ndjekjen e procesit kushtetues lidhur me pagat e magjistratëve.

Me keqardhje kemi ndjekur procedurën parlamentare për miratimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’”. Që në fillim, kjo procedurë është karakterizuar, në vlerësimin tonë, nga shkelje të kërkesave kushtetuese, duke nisur nga miratimi i projektligjit përtej afatit kushtetues, mungesa e një analize financiare nga Këshilli i Ministrave, mungesa e konsultimit efektiv dhe dëgjimi tërësisht formal i grupeve të interesit dhe, në fund, hyrja e menjëhershme në fuqi e ligjit.

Shoqatat tona mbeten të palëkundura në qëndrimin e tyre për rivendosjen e të drejtave kushtetuese të magjistratëve, të cilat janë cenuar haptazi nga ligji i miratuar në orët e mesnatës. Në këtë kuadër, informojmë opinionin publik se, me të njëjtën urgjencë me të cilën ky projektligj u shqyrtua, u miratua dhe u dekretua, do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar pezullimin e zbatimit të ligjit, shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën, si dhe shqyrtimin e çështjes me përparësi.

Kjo kërkesë bëhet e domosdoshme pasi, përmes këtij ligji, cenohet jo vetëm statusi financiar i magjistratëve, i cili është i lidhur ngushtësisht me garantimin e pavarësisë së tyre, por edhe vetë themelet e shtetit të së drejtës, për shkak të mosrespektimit të hapur të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Shoqatat tona shprehin bindjen e plotë në integritetin e procesit kushtetues dhe besimin se Gjykata Kushtetuese do të rivendosë standardet kushtetuese të cenuara. Kemi besimin e plotë se do të jetë pikërisht procesi kushtetues ai që do të sqarojë çështjet e ngritura dhe do të hedhë poshtë përpjekjet për të diskredituar magjistratët dhe kërkesat e tyre legjitime.

Theksojmë edhe një herë se kjo çështje nuk ka të bëjë me interesa financiare, siç është tentuar, në mënyrë të shtrembëruar, t’i paraqitet opinionit publik gjatë gjithë këtij procesi. Ajo lidhet me respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, garantimin e pavarësisë së organeve të drejtësisë dhe mbrojtjen e themeleve të shtetit të së drejtës.

Për mbrojtjen e këtyre parimeve dhe vlerave kushtetuese, shoqatat tona mbeten të palëkundura dhe do të përdorin çdo mjet ligjor që Kushtetuta dhe ligji u vënë në dispozicion.

Kujtojmë se projektligji i miratuar nga shumica parashikon një rritje të pagës referuese me rreth 8,500 lekë. Kjo rritje është kundërshtuar nga magjistratët, ndërsa Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë mbështetur një nivel rritjeje prej afro 80 mijë lekësh.

Çështja lidhet drejtpërdrejt edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mënyrën e përcaktimit të pagave në sistemin e drejtësisë, një vendim që qeveria nuk e ka marrë parasysh, ashtu si shumë vendime të tjera.

Ndërkohë sot, kreu i qeverisë, Edi Rama ftoi në një tryzë diskutimi përfaqësuesit e gjyqësorit, së bashku me pjesëmarrjen e ekspertëve të Këshillit të Europës, siç shprehet ai “për të adresuar temën e sistemit të pagave të magjistratëve në funksion të një zgjidhjeje të qëndrueshme afatgjatë, e cila i garanton ata përgjithnjë po njëkohësisht garanton edhe ekuilibrin e përgjithëhershëm të piramidës shtetërore të pagave”.