Rama flet për protestën e banorëve në Tragjas: Mos bllokoni projektin! Burimet e ujit janë të Shqipërisë, jo të një komuniteti

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur pyetjeve të qytetarëve në rubrikën “Sy m’sy”, ku foli ndër të tjera edhe për protestën e banorëve të Tragjasit, të cilët kundërshtojnë projektin për t’u marrë ujin e fshatit për të furnizuar resortet në Dhërmi. Rama thotë se është bërë një studim i mirëfilltë dhe ky projekt nuk dëmton banorët e zonës ndërsa ka akuzuar këta të fundit se po bllokojnë këtë investim. Kreu i qeverisë thotë se nuk e kupton kundërshtinë e banorëve në Tragjas, pasi nuk ka asnjë kërcënim për ta.

Sipas Ramës, burimet ujore i përkasin Republikës së Shqipërisë dhe jo një komuniteti dhe se do përdoret për interesat dhe shërbimet e Shqipërisë. Ndërkohë paralajmëroi se do të shkonte vetë në Tragjas, por pasi drejtori i AKUM dhe kryebashkiaku të kenë bërë një shpjegim teknik në një televizion të Vlorës.

“Ne e shohim si një potencial të madh për turizmin, për transformimin e shtëpive, kështu që edhe kanalizimet qe mungojnë janë pjesë e projektit. Do të bëhet ujësjellësi i ri i Tragjasit, do të furnizojë edhe zonën e poshtme. Detajet janë teknike, por dua të shpjegoj se një projekt bëhet me profesionistë, por ka edhe oponencë. Prurja minimale e matur, dhe matjet janë bërë në periudha korrik, gusht shtator, 2021, 2022, ka edhe matje të 2018, kështu që prurjet mininale janë 700 litër në sekond. Nga të gjithë shfrytëzimi, në maksimum, që do t’i bëhet këtij burimi për shkak të ujësjellësit, është dy herë më i vogël sesa prurja minimale. Në të gjitha rastet, ajo që mbetet e pashfrytëzuar nga sistemi i ujësjellësit, është mëse e mjaftueshme për mjedisin. Për ujin e pijshëm do të plotësohen nevojat. Kjo është çështje teknike, nuk shihet me sy, por me instrumente shkencore që mbëjnë matjet dhe me analiza progresive. Të ishte një hidrocentral do ta kuptoja të gjithë rrezikun, sepse rreziku i thithjes së burimeve ujore në një masë që mund të kërcënonte gjithë nevojat për vaditje tokash. Por, është ujësjellës për të pirë ujë. Si mundet që një ujësjellës për të pirë ujë të thajë dynjanë, duke u shfrytëzuar për nevojat njerëzore të pirjes së ujit. Është komplet pa logjikë.

Pasi ka patur shqetësim dhe ky projekt është vonuar me muaj dhe me muaj të tëra për shkak të këtyre teorive, është konfirmuar nga ana ime dhe nga ekspertë të tretë. Të gjithë dalin në pikën se këtu nuk ka asnjë kërcënim, kjo është çmenduri. Të jem unë personi që dashkam tua marr ujin tragjasitëve, për tua dhënë himarioteve. Ky është një burim dhe burimet janë të Republikës së Shqipërisë, nuk janë burime të një komuniteti apo të një tjetri. Dhe këto burime të Republikës së Shqipërisë vihen në shërbim të njerëzve dhe të interesave të kësaj Republike. I kam kërkuar kryetarit të AKUM dhe kryetarit të bashkisë që bëjnë një shpjegim teknik në një televizion në Vlorë, sepse nuk mund të bëhet para 200 vetave. Dhe pastaj, do shfaqem edhe vetë aty.

Për sa i përket Policisë, projektet nuk mund të bllokohen, investimet nuk mund të bllokohen. Policia nuk është shfaqur aty se papritur e pakujtuar u kujtua një fadromë të vijë, por se ka muaj të tërë që bëhet përpjekje për t’u sqaruar dhe nuk arrihet dot të bëhet sqarimi. Tani si do bëhet kjo, do merret peng me dhunë, një investim që në radhë të parë i shërben vetë zonës. Kam shumë besim që duke dëgjuar mirë ekspertët dhe duke besuar tek vullneti i mirë për transformimin e mëtejshëm të gjithë qarkut të Vlorës, do realizojmë projektin dhe të gjithë do jemi të lehtësuar nga çdo lloj frike dhe konfuzioni”- u shpreh Rama.