Rama: E vetmja garanci e SPAK jemi unë dhe PS, por nuk do ta tolerojmë një sistem drejtësie të njëanshëm

Kryeministri Edi Rama ka marrë edhe njëherë meritat sa i takon reformës në drejtësi. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët përmes rubrikës “Sy më Sy”, Rama foli për deklaratën e bërë dje nga kreu i PD, Sali Berisha, i cili paralajmëroi shkrirjen e SPAK nëse do të vinin në pushtet.

Rama tha se e vetmja garanci për SPAK është ai dhe Partia Socialiste. Megjithatë kreu i qeverisë nuk kurseu as kritikat për Prokurorinë e Posaçme ndërsa shtoi se “nuk do ta tolerojmë një sistem drejtësie të njëanshëm”.

Duke u ndalur te arrestimi i kryebashkiakut, Erion Veliaj me urdhër të SPAK, Rama tha se paraburgimi nuk mund të bëhet një normë për të kyçur brenda pa prova këdo qoftë

“Ka plot gjëra që nuk shkojnë edhe me SPAK, se nuk ka rënë nga qielli, është një institucion i ri, me shumë probleme, por ka krijuar vetëbesimin e pavarësisë. Askush nuk mund të thotë  se SPAK është i kontrolluar nga unë, por ai është një institucion i pavarur. Ne nuk do ta tolerojmë një sistem drejtësie të njëanshëm, jo profesionale dhe në shkelje të standardeve demokratike. Kemi hyrë në një fazë tjetër, na duhet që të kemi një pozicion kritik për të  gjithë gjërat nuk shkojnë.

Ne nuk mund të pranojmë, që në emër të pavarësisë paraburgimi të bëhet një normë për të kapur dhe për të kyçur brenda pa gjyq, këdo qoftë kur kushte e domosdoshme që duhen plotësuar për paraburgosje janë shumë të qarta. Këto janë çështje të një diskutimi dhe debati demokratik”, tha Rama në rubrikën “Sy më Sy”.

Po ashtu Rama u pyet edhe për foton me Aleks Sorosin, të cilën ky i fundit ka publikuar së fundmi. Rama shkruan se Aleksin e ka mik, po ashtu si të atin dhe shtoi se “Përrallat dhe historitë propagandistike që kërkojnë të lidhin gjëra që as nuk kanë lidhje fare mua nuk më impresionojnë”.

“Unë Aleks Sorosin e kam pasur mik, të atin e kam mik, i kam pasur dhe do i kem miq dhe jam shumë krenar për atë miqësi që të jemi shumë të qartë bashkë. Përrallat dhe historitë propagandistike që kërkojnë të lidhin gjëra që as nuk kanë lidhje fare mua nuk më impresionojnë. Dhe siç kam miq Alex-in dhe të atin kam edhe mi të tjerë që nuk janë miq me ta, po unë nuk bëjë spekulime dhe abuzime me miqtë

Edhe mos u bëni qesharak, lërini historitë mes amerikanësh t’i zgjidhin amerikanët mes njëri tjetrit, mos gënjëni vetëm se këtu jemi në kërthiza e botës etj etj”- tha Rama.