Rama e Veliaj fusin në telashe zyrtarin britanik, nuk deklaroi vizitën në Tiranë të paguar nga Kastrati 

Një skandal tjetër me protagonistë kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun Erion Velaj ka përfshirë një vend aleat, Britaninë e Madhe. Mediat britanike kanë zbuluar se kryetari i Bashkisë së Tees Valley, Ben Houchen ka zhvilluar vitin e kaluar një vizitë në Shqipëri, por ai ka refuzuar të deklarojë këtë udhëtim sipas ligjeve të Shtetit Britanik. Rasti ngjason si me ish-kreun e zbulimit te FBI në New York, Charles McGonigal që bëri të njëjtën gjë, vizitoi Shqipërinë pa e deklaruar duke u bërë shkak nisja e hetimeve ndaj tij.

Sipas ligjeve lokale, çdo zyrtar duhet të deklarojë çdo dhuratë apo mikpritje që e kalon vlerën 25 paundë britanikë. Siç zbulojnë mediat britanike, udhëtimi në Shqipëri i kryebashkiakut është paguar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, në pronësi të biznesmenit shqiptar Shefqet Kastrati.

Por Aeroporti i Tiranës ka përgënjeshtruar lajmin e medias britanike Yorkshire Post, sipas të cilës vizita në Shqipëri e kryetarit të Bashkisë së Tees Valley, Ben Houchen është kryer me financimin të tyre.  Drejtuesit e Aeroportit i treguan Oligarkia.al një email zyrtar nisur drejt gazetës Yorkshire Post, ku i kanë kërkuar asaj të përgenjeshtrojnë faktin se vizita e Ben Houchen në Tiranë është paguar nga TIA si të pavërtetë.

Kryebashkiaku Ben Houchen takoi kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Bashkisë Erion Veliaj në qershor 2022, dhe në njoftimin e takimit, Veliaj shënonte se folën “mbi mënyrat e bashkëpunimit, sidomos për të forcuar marrëdhëniet mes të rinjve në dy qytetet”.

Houchen është mbrojtur përmes zëdhënësit të tij se nuk ka detyrim për të raportuar vizitën, pasi shifra e paguar nga Aeroporti i Tiranës për shpenzimet e tij ishte 1455.76 paund, ndërkohë që pragu për deklarimin e vizitave jashtë shtetit sipas ligjit britanik është 1500 paund.

Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, zyrtari britanik shoqërohej nga një zyrtar i shtypit i TVCA-së, CEO i kompanisë Teesworks, Martin Corney, dhe dhëndri shqiptar i Corney, Orion Kotrri.

Çështja duket se po ngjall interes në shtetin ishullor pasi mësohet se mund të diskutohet në Parlamentin Britanik. Mediat angleze kanë këmbëngulur edhe në gjetjen e interesit për të vizituar Shqipërinë, ndonëse ende nuk ka një të dhënë zyrtare për këtë.

Mësohet se shoqëruesi në Shqipëri, Corney është një nga njerëzit e biznesit vendas që bleu 90% të aksioneve në kompaninë publike bashkiake, Teesworks Ltd. Sipas medias britanike, shqiptari Kotrri raportohet se është përgjegjës për heqjen e skrapit nga kantieri gjigant që përmbante ish fabrika e çelikut “Redcar”.

“Më shumë se 90 milionë paundë skrap janë hequr nga vendi deri më tani, dhe shumë më tepër mbeten për t’u përpunuar”, shkruan gazetari Leigh Jones. Por biznesi i skrapit dyshohet se ka qenë interesi i vizitës në Shqipëri. Qeveria britanike ka nisur një hetim për mënyrën e këtij biznesi të kryer në bashkinë e Ben Houchen që sipas opozitës laburise i ka shkaktuar shtetit britanik miliona paundë humbje.