Rama e emëroi zv.ministre të Brendshme, por Silva Caka e etiketonte kryeministrin “sociopat me kartelë”

Emërimi i ish-deputetes së LSI-së, Silva Caka si zv.ministre e Brendshme ishte surprizë për shkak se ajo ka qenë një ndër figurat më të njohura në partinë e Ilir Metës.

Posti i dhënë nga Rama e ka “joshur” Cakën duke harruar edhe akuzat e shumta që ajo ka hedhur në drejtim të kryeministrit ndër vite.

Në një postim në rrjetet sociale në vitin 2022, Caka e etiketonte kryeministrin si një “sociopat me kartelë” nga i cili nuk duhet pritur empati.

Ndërkohë vit më parë ajo do të shprehej se qeveria ka thyer çdo premtim që ka bërë përpara se të vinte në pushtet dhe se çdo shqiptar kishte “një mijë e një arsye për të protestuar”. Por këto akuza duket se Caka i ka harruar dhe tashmë mbetet që të marrë postin qe iu dha Rama.

Nëse ke qoftë edhe një arsye, sado e vogël dhe e parëndësishme mund të të duket, dil e protesto! Dil sot e protesto, eja, sepse shumë shpejt ajo arsye e vogël do kthehet në një problem shumë të madh e të pazgjidhshëm. Kur padrejtësinë e shkakton vetë pushteti, me dashje, mos ki shpresë se ata do reflektojnë e do ta rivendosin të drejtën tënde. Bëhu ti ai që zgjidh dhe zgjedh”, shprehej ish-deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim.