Rama dhe Zelensky në konferencë të përbashkët, kryeministri tregon mesazhin që i erdhi gjatë Samitit, Presidenti ukrainas falenderon Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp pas mbledhjes së Samitit “Ukrainë – Europa Juglindore”.

Rama u shpreh se ky ishte një moment i veçantë për Shqipërinë, pasi shtetet pjesëmarrëse në Samit janë mbledhur kundër forcës neoimperialiste të Rusisë dhe Vladimir Putin.

“Faleminderit të gjithëve dhe mbi të gjitha, atyre mes jush që keni ardhur në Tiranë nga rajoni ynë. Është një moment i veçantë për ne në Shqipëri, sepse nuk jemi vetëm të privilegjuar të mirëpresim kreun e shtetit, por edhe jemi të nderuar të mikpresim një udhëheqës të rezistencës. Jemi mbledhur kundër forcës neoimperialiste që kërkojnë të ndërtojnë. Jam i nderuar që patëm mundësi që të mbajmë qëndrimin tonë, jo vetëm si Shqipëri, por si bashkësi vendesh dhe kombesh që ndajnë të njëjtin qëndrim, që qëndrojnë pro Ukrainës”, u shpreh Rama.

Ai tregoi edhe një mesazh që i kishte ardhur gjatë Samitit nga një zyrtar që punon me institucionet ukrainase për të ngritur një fond të teknologjisë së lartë, i cili i kishte thënë se ukrainasit që punojnë me të i kanë lënë shumë mbresa me talentin dhe aftësitë e tyre.

“Pak më parë mora një mesazh nga dikush që po punon me institucionet ukrainase për të ngritur një fond të teknologjisë së lartë. Më tha thuaji Zelenskyt se ekipi jonë është absolutisht i mbresuar nga ukrainasit që kemi takuar dhe aftësitë, talenti e aftësitë e tyre”, u shpreh kryeministri.

Ndërkohë, Presidenti ukrainas Zelensky falënderoi Shqipërinë për bashkëpunimin dhe ndihmën ndaj vendit të tij, teksa u shpreh se duhet që Ukraina të mbështetet me armatime për të fituar luftën ndaj Rusisë.

“Së pari dëshiroj t’ju falënderoj juve Edi, popullin tuaj, të gjithë qytetarët e Shqipërisë për mbështetjen e sinqertë e të plotë që na keni dhënë dhe të gjithë mbështetjen që i jepni drejtësisë në Europë. Ju falënderojmë për të gjitha paketat që keni mbështetur, e kemi parë mbështetjen tuaj. Ju keni kuptuar që çdo komb ka nevojë për sigurinë e vet. Këto janë ato elementë përkufizojnë siç duhet çdo gjë të mirë që mund të ofrojë një komb, rendi botëror dhe ndërkombëtar. Së bashku duhet të bashkohemi që të prodhojmë armë. Duhet të bëjmë gjithçka mundemi mos të kemi vonesa. Ne na duhet më shumë besim të çfarë mund të bëjmë ne. Ju duhet të keni besim tek ne, te stabiliteti që do mund ti ofrojmë Evropës por edhe vlerave të përbashkëta. Integrimin të plotë tonin në be. Ne mbështesim integrimin e vendeve të Ballkanit perëndimor në BE, por edhe ju duhet të na mbështesni ne. Ukraina si edhe i gjithë rajoni i Evropës juglindore, duhet të bashkëpunojmë, të merrni pjesë në samitin global të paqes. Na mbështesni në formulën tonë të paqes, lufta është filluar nga një person i vetëm, por ne duhet të jemi të gjithë së bashku. Duhet të na ndihmoni, faleminderit për mbështetjen tuaj”, u shpreh ai.