Rama dërgoi draftin për Asocacion, reagime nga deputetët e VV: “Qëllimi është ndarja e Kosovës”

Deklarata e kryeministrit Edi Rama, i cili tha se i ka dorëzuar sot Presidentit të Francës dhe kancelarit të Gjermanisë një dokument për asociacionin e komunave me shumicë serbe, nuk është pritur mirë nga qeveria e Kosovës dhe Vetvendosja.

Zëvëndëskyreministri i Kosovës, Besnik Bislimi përmes një reagimi tha se Kosova vazhdimisht ka tërhequr vëmendjen e faktorit ndërkombëtar për arsyet e vërteta që Serbia synon për formimin e Asociacionit.

Ai thotë se Asoaciacioni asnjëherë s’është kërkuar për të integruar serbët e Kosovës por për t’u shfrytëzuar si Kalë i Trojës nga Beogradi për ta defunksionalizuar Kosovën dhe duke e përgatitur terrenin për ndarje.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, tha se me dërgimin e këtij draft-statuti në Berlin e Paris, “Rama vetëm sa po e shpërfaq dhe forcon Asociacionin e tij me Vuçiqin”.

Po ashtu deputeti Dimal Basha, ka ftuar Ramën që të mos shqetësohet, pasi siç shprehet Basha, Kosova ka njerëz që shqetësohen dhe kujdesen për të.

“Qenka shqetësu Kryeministri Edi Rama për shqetësimin e mikut të tij, e që është Asociacioni. Bile e paska marrë mundin me draftu një statut!Z. Rama, a keni dërguar tek bashkësia ndërkombëtare ndonjë statut për ndonjë Asociacion për shqiptarët e Luginës?I dashur Kryeministër Rama, e di që në të kaluarën politikanë tanë në Kosovë të kanë ngarkuar me shqetësime të ndryshme, mirëpo kanë ndërruar kohërat dhe personalisht të liroj nga ky shqetësim, sepse Kosova tani ka mjaft njerëz që kujdesen dhe shqetësohen për Kosovën.”, ka shkruar ai.

Lidhur me deklaratën e Ramës ka reaguar edhe ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj.

Në postimin e saj në Facebook, Haradinaj shkruan se agjentët e idesë së shkëmbimit të territoreve janë vënë në lëvizje për jetësimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive.

‘Pra tash ‘agjentët’ e idesë së shkëmbimit të territoreve janë vënë në lëvizje për jetësimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive. Të mos gabohemi. Qëllimi mbetet i njëjtë: ndarja e Kosovës!!’, shkruan Haradinaj.