Rama: Brenda këtij mandati, paga minimale do të shkojë 700 euro

Në një komunikim me qytetarët në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se brenda këtij mandati qeverisës, paga minimale në Shqipëri do të shkojë 700 euro.

Ai tha se në fillim të vitit 2026 paga minimale do të jetë 500 euro, teksa qeveria do të subvencionojë me 90 milion euro dhe shtesën e kostove të sigurimeve për 9 muaj në sektorin privat.

Rama foli edhe për pensionet, që qeveria do t’i rrisë vit pas viti përveç indeksimit që pensionistët do të përfitojnë. Sipas tij, deri në vitin 2030, për pensionistët do të ketë 500 milionë euro më shumë nga buxheti i shtetit.

“Në projektbuxhetin e vitit 2026, që sapo ka shkuar në Parlament, padyshim pjesën e luanit e zënë pensionistët. Ata e fillojnë vitin e ardhshëm me 100 milion euro shtesë, përveç indeksimit. Në 2027 e dyfishojmë shtesën: 200 milion euro, plus indeksimi 45 milion euro. Në 2028 e trefishojmë: 300 milion euro, plus indeksimi 46 milion euro. Në 2029 e katërfishojmë, plus indeksimi, dhe në 2030 e pesëfishojmë, plus indeksimi.

Pra, janë rreth 1.7 miliard euro më shumë që pensionistët do të marrin, një shumë e konsiderueshme nga investimi ynë gjatë këtij mandati të katërt qeverisës.

Nga 1 janari 2023 do të rritet paga minimale për 307,850 punonjës, të cilët do të marrin shumë premtuar prej 500 eurosh, ndërsa në këtë mandat paga minimale do të arrijë në 700 euro. Siç kemi premtuar, qeveria do të subvencionojë me 90 milion euro dhe shtesën e kostove për 9 muaj në sektorin privat.

Ky jam unë dhe këta jemi ne; themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi. Dhe ato 83 mandate që ju na dhatë për të qeverisur Shqipërinë në mandatin tonë të katërt, për ta ulur në tryezën e Bashkimit Evropian si të barabartë ndër të barabartët, janë 83 arsye më shumë sesa deri dje për të mos fjetur gjumë, për të punuar pa pushim dhe për t’ju kthyer ju me gjithë pasionin, vullnetin, këmbënguljen, durimin dhe dashurinë e mundshme, për të nderuar besimin e jashtëzakonshëm që na dhatë – një privilegj i jashtëzakonshëm”, tha Rama.