RAI 3 e “nxiu”, Rama elozhe vetes: I habita italianët me kurajon time! Shqiptarët s’do jenë kurrë vetëm sa të jem unë këtu

Pavarësisht se pjesa e dytë e emisionit “Report” në RAI 3 hodhi akuza nga më të rënda për kryeministrin Rama, për të cilin u pohua nga Arben Ahmetaj se takonte në zyrën e tij bosë të mafias, sot kreu i qeverisë ka dalë me një mesazh për qytetarët për të hedhur poshtë këto akuza.

Teksa fliste kundër reportazhit dhe atyre që kishin folur në atë investigim, Rama nuk i kurseu elozhet për veten, duke u sjellë si një “hero kombëtar” që kishte shpëtuar Shqipërinë dhe shqiptarët nga hordhitë e huaja.

Ai tha se gazetarët italianë ishin habitur nga kurajo e tij për t’u ballafaquar, por me modesti u shpreh se kjo ishte vetëm krenari për emrin shqiptar. Gjithashtu kryeministri u shpreh se nuk la shteg dhe hapësirë për të përplasur në sy të italianëve të vërtetën e tij.

“U habitën gazetarët e Report-it dhe e thanë që unë jo nuk i ika asnjë pyetje, por e kërkova vetë, publikisht ballafaqimin me ta. Thanë që këtë politikanët e tyre nuk e bëjnë, dhe e quajtën madje kurajo të madhe, por në fakt e imja s’është kurajo, është krenari për Shqipërinë dhe për emrin shqiptar.

Shqiptarët e Italisë, Greqisë dhe kudo tjetër, nuk kanë për të qenë kurrë vetëm sa të jem unë këtu, përballë asnjë cënimi të emrit shqiptar. Kanë vuajtur boll për ta ngritur kokën, por as ata e as Shqipëria nuk e ulin më kokën.

Nuk kam asgjë më shumë me palën italiane, me gazetarin italian jo e jo. Erdhi, më mori në intervistë, shërbeu dhe iku. Ua thashë në mes të Italisë që ditën e parë se çfarë ishte ai pseudo investigim i tyre. Nuk lashë hapësirë dhe shteg në mediat e vendit mik pa ia përplasur syve të vërtetat dhe siç e patë, jo vetëm që nuk iu shmanga ballafaqimit, por e postova në këtë faqe të pacensuruar. Se po të kisha gjëra për t’u shmangur apo pyetje për t’u sikletosur, unë nuk rrija në këmbë për të udhëhequr Shqipërinë, por ikja, ulesha në bisht atje te baçja e shtëpisë në katund.