Opinioni ndërkombëtar sot është drejtuar nga Rusia ku duket se po ndodh një grusht shteti. Rebelimi i armatosur i shefit të Wagner, Yevgeny Prigozhin, është përshkallëzuar në mënyrë dramatike në orët e fundit, ndërsa milioneri ka deklaruar se ushtria e tij ka shtënë në dorë plotësisht qytetin e Rostovit.
Tanket e Wagner janë drejtuar nga selia ushtarake e rajonir ndërsa pretendon se ka marrë nën kontroll edhe objektet kryesore ushtarake në qytetin e Voronezh, që gjendet rreth 310 milje larg Moskës.
Dikur ish aleat i Vladimir Putin, dhe kuzhinier personal i tij, pasi zotëron një rrjet restorantesh kateringu që i shërbenin Kremlinit, Prigozhin pretendon se ka dërguar 50 mijë burra në frontin me Ukrainën, ku thotë se ka shumë humbje dhe nuk ka mbështetje.
Presidentin rus Vladimir Putin ka dalë në një deklaratë urgjente për mediat ku i është drejtuar kombit me një video-mesazh, duke premtuar ndëshkimin e atyre që i konsideroi tradhtar. Putin tha se kjo që po ndodh është “thikë pas shpine për Rusinë”.
Prigozhin tha në një video se ai ndodhet në Rostov-on-Don, në Rusinë jugore, afër kufirit me Ukrainën, dhe se forcat e tij kanë kontrollin e objekteve ushtarake dhe aeroportit atje.
Ai u zotua të bllokojë Rostovin dhe të shkojë në Moskë nëse ministri rus i Mbrojtjes dhe gjenerali i lartë nuk takohen me të në qytet, ku është selia e Qarkut Ushtarak Jugor të Rusisë.
Rostov-on-Don është pikë strategjike sepse selia e tij ushtarake koordinon operacionet në Ukrainë, ka thënë një ish-oficer i inteligjencës së ushtrisë britanike.
Lëvizja e Prigozhin vjen pasi ai tha se luftëtarët e tij po hynin në rajonin e Rostovit të premten dhe se Garda ruse dhe policia ushtarake i janë bashkuar grupit Wagner, por CNN nuk mund të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e tij.
Sakaq fotot dhe videot që qarkullojnë në mediat sociale, kryesisht në Telegram tregojnë trupat e Ëagner që kanë vendosur nën kontroll të plotë Rostovin, me ushtarë të armatosur rëndë dhe tanke e blinda që kanë rrethuar godinat kryesore.
Fotot tregojnë automjete ushtarake në rrugë dhe në mëngjes herët ka pasur raportime për helikopterë që ishin ngritur mbi qytet.