Qytetari nga Lezha denoncon vëllain e Arben Ndokës: 5 persona të maskuar hynë në lokal dhe më dhunuan

Një sherr i dhunshëm është regjistruar në një lokal në Lezhë, ndërsa i përfshirë në konflikt dyshohet se është edhe Gëzim Ndoka, vëllai i ish-deputetit të PS-së, Arben Ndoka, me këtë të fundit që është shpallur në kërkim nga SPAK pasi emri i tij doli në përgjimet e një grupi kriminal.

Burime për mediat bëjnë më dije se 5 persona të maskuar janë futur në një lokal duke dhunuar me qytën e pistoletës dhe kërcënuar dy persona. Njëri prej dhunuesve është prezantuar si nipi i Arben Ndokës.

Gjatë këtij konflikti janë dhunuar Nikolin Marku dhe Gjergj Marku, kushërinj me njëri tjetrin. Nikolin Marku ka hedhur akuza ndaj Gëzim Ndokës, duke thënë se ky i fundit ka dhënë urdhrin që ai të dhunohej ndërsa shton se gjatë kohës që shkoi në spital për mjekim, Ndoka e kishte kërcënuar.

Nuk dihet ende nëse ka të arrestuar teksa pritet që policia të dalë me një njoftim zyrtar për të dhënë më shumë detaje rreth ngjarjes së rëndë.