Qeveria shqiptare po tregohet “zemërgjerë” lidhur me investimet strategjike. Kujtojmë këtu se para disa muajsh, teksa vendi përgatitej për zgjedhjet e 11 Majit, deputetët socialistë votuan pro shtyrjes së afatit të aplikimit për statusin e Investitorit Strategjik.
Më datë 11 Qershor, Këshilli i Ministrave ka miratuar dhënien me qira të një prone shtetërore në Korçë me tarifën simbolike 1 euro, në kuadër të mbështetjes për investimet strategjike në sektorin e turizmit.
Bëhet fjalë për 10 mijë metra katrorë truall në Korçë që i janë falur kompanisë “Investment and Development Albania” .
“Prona e përmendur vihet në dispozicion për zhvillimin dhe realizimin e projektit investues strategjik “Green House Korça Resort”, me subjekt investues “Investment and Development Albania”, sh.p.k., me NUIS L91703053C” thuhet në vendimin e qeverisë.
Sipas databazës, opencorporate.al kompania zotërohet nga biznesmenët Agim Zeqo, ish presidenti i sport klub Skënderbeu, që është aksioneri më i madh me 40 % të aksioneve, dhe ortakët Gerian Kuka dhe Ilir Shtufi të cilët kanë respektivisht nga 30 % të aksioneve.
Emri i Gerian Kukës është i përfshirë në skema të dyshimta me ish-numrin dy të qeverisë, Arben Ahmetajn, i cili është në kërkim ndërkombëtar.
Kjo pronë shtetërore, e llojit “truall”, do të përdoret për ndërtimin e “Green House Korça Resort”, një projekt që parashikon ndërtimin e një hoteli luksoz me 94 dhoma, restorante, bare dhe ambiente të tjera shërbimi, me vlerë 18 milionë euro.
Vendimi për dhënien me qira të tokës me çmim simbolik, ka ringjallur diskutime mbi mënyrën se si përdoren pronat publike dhe përfituesit realë të kësaj skeme shtetërore, ku shpesh herë përfitues janë njerëz afër kryeministrit Edi Rama.
Lidhur me investimet strategjike ka pasur debate të shumta në vend, ku është denoncuar se miratimi i këtij ligji i shërben vetëm miqve të qeverisë, që do të marrin pronat e qytetarëve dhe do të pasurohen në kurriz të tyre.