Qeveria premtoi ngurtësimin e kësteve për pagesat e tatim-fitimit për eksportuesit, por nis aplikimi i gjobave

Tatimet kanë nisur të aplikojnë gjobat për bizneset eksportuese, që nuk po paguajnë tatimfitimin e parapaguar, edhe pse në 11 maj të këtij viti, Ministria e Financave vendosi ngurtësimin e kësteve të pagesave të tatimfitimit për të rritur likuiditetin te këto biznese, që janë duke vuajtur nga rënia e Euros.

Shoqatat e eksportuesve kanë ngritur disa herë shqetësimin në takimet e zhvilluara me Ministrinë e Financave dhe Bankën e Shqipërisë për thellimin e humbjeve në aktivitetet e tyre nga rënia e fortë e euros.

Në ndihmë të tyre, qeveria miratoi Aktin Normativ për ngurtësimin e pagesave paraprake të tatim fitimit deri në muajin dhjetor 2023 dhe nëpërmjet një urdhri të MFE u vendos përshpejtimi në kohë i procedurave të rimbursimit të TVSH-së.

Eksportuesit ngritën shqetësimin se këto masa nuk po aplikohen.

Kryesia e Eksportuesve njoftoi se shumë biznese kanë marr gjobë për mospagimin e Tatim Fitimit. Ndërkohë edhe rimbursimi i TVSH-së nëpërmjet administratës tatimore, që nga afati kohor prej 30 ditësh, do të përfitohej brenda 3 ditësh pas paraqitjes së kërkesës nuk po aplikohet.

Shoqatat e biznesit pohojnë se mos funksionimi i masave për zhvlerësim e monedhës euro, po con shumë subjekte drejt falimentimit. https://www.monitor.al/thellohet-drama-e-eksporteve-bien-17-3-ne-qershor-bizneset-shtojne-humbjet-nga-renia-e-euros/ 

Euro ka shënuar një rënie të ndjeshme vitet e fundit, por më e fortë ka qenë tkurrja këtë vit.

Aktualisht 1 euro këmbehet afër nivelit të 103-104 lekëve, që është niveli historik më i ulët që kur Euro doli si monedhë fizike në vitin 2002. Në krahasim me fillimin e vitit, kur këmbehej me 117.5 lekë euro ka rënë me rreth 14%.

Ndërkohë që rënia e kursit dhe rritja e kostove, sidomos të pagave, po i ndikon ndjeshëm eksportet e industrisë që punon me material porositësi.

Sipas INSTAT, eksportet e grupit Tekstile dhe këpucë u tkurrën me 8.5% në qershor, duke zbritur në gati 11 miliardë lekë. Sipas eksportuesve, arsyeja kryesore lidhet me rënien e ndjeshme të euros që ul të ardhurat e eksportuesve kur konvertohen në lekë, ku humbjet nga zhvlerësimi i monedhës europiane shkojnë nga 8-9 milionë lekë.

Për 6 mujorin, eksportet e këtij grupi ranë lehtë me 0.45%. “Tekstilet e këpucët” mbeten grupi më i madh në vend, me 29% të totalit. Banka e Shqipërisë ka deklaruar vazhdimisht se rënia e euros lidhet me përmirësimin e ekonomisë dhe shtimin e turizmit në vend.

Megjithatë, euro ka qenë në një tendencë nënçmuese prej disa vitesh, e ndikuar dhe nga flukset informale të hyrjes së valutës në vend, kryesisht në tregun e pasurive të paluajtshme në kryeqytet dhe bregdet./Monitor